Të paktën 26 fëmijë humbën jetën në Nigerin jugor pasi zjarri kaploi shkollën e tyre të përbërë nga klasat prej kashte dhe druri.

Kryebashkiaku i qytetit Maradi, Chaibou Aboubacar, konfirmoi incidentin për mediat lokale, duke thënë se dhjetëra fëmijë që shpëtuan nga zjarri pësuan djegie të rënda dhe po trajtohen në spital.

Shumica e fëmijëve që vdiqën ishin të moshës pesë deri në gjashtë vjeç.

Erërat e forta thuhet se kanë shkaktuar përhapjen e zjarrit dhe autoritetet e sigurisë janë ende duke hetuar se si filloi ai. Tri klasa të shkollës janë shkatërruar.

Shumica e shkollave dhe klasave në Nigerin rural janë prej druri dhe kashte, andaj ato mund të digjen lehtësisht.

Radio Nagarta në Niger raportoi se numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë se sa raportohet.

Një zjarr në prill të këtij viti në një shkollë fillore në periferi të kryeqytetit të Nigerit, Niamey, shkaktoi vdekjen 20 fëmijëve nga mosha 7 deri në 13 vjeç.

Sipas të dhënave të OKB-së, Nigeri me më shumë se 25 milionë banorë është një nga vendet më të varfra në botë dhe ka një nga nivelet më të ulëta të shkrim-leximit në Afrikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re