Skip to content

Zjarri rrezikon banesat në Kallmet. Situatë e vështirë edhe në Kukës, Tropojë dhe Dibër

Flakët iu janë afruar banesave në Kallmet të Lezhës. Zjarri u shfaq mbrëmjen e së martës në një zonë të thepisur, por ndryshimi i kahut të erës ndërlikoi situatën.

Për vënien nën kontroll të tyre janë angazhuar mbi 60 zjarrfikës, forcat lokale dhe helikopteri Kugar i ushtrisë nga ajri.

Zjarrfikësit kanë krijuar një kordon mbrojtës për zonën e banuar.

Edhe pse situata mbetet e vështirë autoritetet thonë se gjendja po mbahet nën kontroll deri në izolimin e të gjitha vatrave.

Në 24 orët e fundit në gjithë vendin janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 16 janë fikur, ndërsa 7 të tjera mbeten ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Suroj të Kukësit, i cili vazhdon të jetë aktiv prej disa ditësh.

Ndërkohë që zjarri në fshatin Tetaj të Tropojës është izoluar dhe po punohet për shuarjen e plotë të tij.

Ndërkohë në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ka rënë zjarr në një zonë malore me pisha dhe të pa aksesueshme nga mjetet zjarrfikëse.

Zjarre aktive ka edhe në fshatin Mnelë e Vogël në Vaun e Dejës dhe fshatin Pejkë në Dibër.