Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të saj, Tedi Blushi, ka reaguar dje nga tregu i shkrumbuar në zonën e “5 Majit” në Tiranë, duke akuzuar institucionet shtetërore për reagim të vonuar dhe mungesë totale koordinimi në menaxhimin e zjarrit.
Blushi u shpreh se operacioni për shuarjen e flakëve ishte i vonuar dhe i paorganizuar, ndërsa situatën e cilësoi “apokaliptike” dhe plotësisht të parandalueshme. Sipas tij, infrastruktura përreth dhe kaosi urban i krijuar ndër vite nga Bashkia e Tiranës kanë sjellë pasoja dramatike, të cilat sot po i vuajnë sipërmarrësit e vegjël që humbën gjithçka.
Ai kritikoi ashpër praninë e ministres së Brendshme në vendngjarje, duke e cilësuar atë si “show propagandistik”, ndërsa theksoi se tregtarët kishin nevojë për veprime konkrete dhe jo për imazhe mediatike. Blushi shtoi se forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera shtetërore ishin të pakoordinuara, deri në absurditetin e spërkatjes me ujë të një pallati të pabanuar.
Kreu i grupit parlamentar të PL ngriti dyshime të forta se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, duke e lidhur me praktika të njohura të së kaluarës në Tiranë, ku sipas tij, djegiet kanë shërbyer për t’i hapur rrugë betonizimit. Ai deklaroi se disa sipërmarrës dyshojnë se insistimi i tyre për të mos liruar ambientet ka çuar në këtë zjarrvënie të dyshuar.
Blushi paralajmëroi se nëse në këtë territor, pas një periudhe kohe, do të jepet leje ndërtimi, do të ketë kallëzim penal direkt ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si përgjegjësin e vetëm për dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në përfundim, ai shprehu solidaritetin e plotë me tregtarët e prekur dhe theksoi se Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, të cilën e cilësoi si pjesë të një katastrofe më të gjerë që po prek vendin, nga përmbytjet në disa qytete deri te zjarri në Tiranë.



