Pas reagimeve të shumta që shkaktoi ceremonia e mbajtur për kurorëzimin e priftit të kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi ku shihej i pranishëm edhe zv.kryeministri Dritan Abazoviç, ka reaguar së fundmi edhe aktori i njohur Çun Lajçi.
Aktori është shprehur shumë i indinjuar ndaj Abazoviç i cili është parë në ceromoni gjatë momentit kur po këndohej kënga “Kur ushtria të hyjë në Kosovë”.
Postimi i Plotë nga Çun Lajçi:
Pa dashje fola. M’vjen keq prej viteve t’mia me u marrë me juve që konsideroheni si “krenët e shqiptarisë”! Me iu thanë jeni nda e përça edhe ma zi se n’kohën e Pashiqit. E shejat janë. Edhe fotografitë! Edhe t’bamet e njenit e tjetrit e tjetri! E vështirë me besua për çdo njeri që mendon ftoftë.
Asht kohë e re e gjeneratave t’reja, që leht thehen e ndrrojnë mendimet edhe për herojt e luftës edhe për trimat e paqes! Ata e lexojnë kohën e vet e zor se i kthehen t’kaluemes, se ajo i gjason të tashmes. Une s’përtova t’ia gërrithi penin lahutës, (jo me shitë mend se di apo s’di me knua), por deshta me gërrithë kujtesën e çartjes se zotnive të Shqipnisë se Mbretit.
Zogolli thonë me çdo kusht donte t’ishte mbi dy krahët e atdheut. S’e duronte Nolin e Hasani Bajram Currin. Njeni shkoi n’Selanik,tjetri n’Amerikë e Zogu n’Beograd. E muer pëlqimin e Pashiqit që t’bahej Kryeministër. Dhe u ba, mbasi u futen thastë e Beogradit me pare n’trojet shqiptare. U pre Bajrami nga Cana Beg Kryeziu e Kadri Mehmeti dhe punët u nisen zi e ma zi.
Sot njisoj. Përmes Beogradit, Rama i nisi gjamët e atdheut, e dert se ban punën e Kosovës. Ky Abazovic bahet kurrizi i popit serb e baglon n’ftyrën e vet e t’popullit sojnik malazez. Me randësi asht ai t’jetë zog kurve n’Ceti e Rama kumona e ogiçit n’Shqipni!
Si tash si atëherë, krejt përpjekjet i kanë n’Beograd! E shajnë njeni tjetrin e tradhtarë i shpallin me letra e pa letra. Atëherë mbaheshin letrat n’xhepa e tradhëtia s’ishte për ledinë si sot! Sot interneti asht plot e përplot ndasi e përçamje. Kingji bahet dash e dashit ia thejnë brinat. Kumona kalon prej ogiçit të delmja e prej delmes të dhia e n’fund magari thotë ishalla asht andërr. Por ujku ia ka hangër gjysën e trupit.
E mua me vjen turp prej viteve me iu thanë se jeni t’zhytun si njeni si tjetri. Iu duhet Drini me iu la gjynahesh. I keni mbushë kacat pare e hundet sheqer kolumbian e s’po dini cili asht kali e cili gomari. Ikni sa s’janë çua prrojet se Shqipnia ka me iu mbetë n’fyt e Kosova ka me ua qorrua sytë!
…
/faxweb