Tërmeti apokaliptik që zgjoi Turqinë, siç shpjegojnë ekspertët ndodhi në një zonë që njihet për aktivitetin e saj të lartë sizmik.

 

Sipas tyre, ky tërmet erdhi si rezultat i lëvizjes së pllakave tektonike të Euroazisë dhe Afrikës, të cilat kanë krijuar edhe mikropllakën e Anadollit.

 

EDMOND DUSHI

 

SIZMIOLOG

 

“Duke ditur që ne monitorojmë vazhdimisht dukurinë dhe duke ditur që dukuria nuk ndodh në mënyrë të rastësishme dhe të ketë një shpërndarje gjeografike kaotike, por është kufizuar në zona tektonike dhe duke qenë se këto kontakte monitorohen dhe vlerësohet potenciali i tyre i deritanishëm, sizmiologjia mund të përcaktojë qartë zonat, të kuptojë qartë magnitudat e pritshme dhe dihet edhe njëlloj periodiciteti i këtyre ngjarjeve. Nga përcaktimi paraprak që i është bërë një modeli të vatrës bëhet fjalë për një zhvendosje horizontale dhe kjo e lidh automatikisht me thyerjen anadoliane të lindjes, pra është një nga krahët e thyerjeve të spikatura që karakterizojnë pllakën anadoliane.”

 

Duke mos përjashtuar mundësinë që numri i viktimave të arrijë deri në 10 mijë, njësoj siç paralajmëroi edhe Instituti Gjeologjik i SHBA, sizmologët shohin me shqetësim pasgoditjet e tjera të forta që po ndodhin në zonë.

 

EDMOND DUSHI

 

SIZMIOLOG

 

“Bëhet fjalë për të njëjtën thyerje tektonike ose një sistem thyerjesh tektonike dhe natyrisht është më probabël, sidomos kur kjo ka një shtrirje të konsiderueshme mbi 100 km, është më probabël që një tërmet i fortë të shkaktojë një tërmet tjetër po përgjatë kësaj. Nuk është e zakonshme, por që ndodhin. Pasgoditjet kanë pasur një përshkallëzim ose alternim. Mendohen deri në momentin që derisa ndodhi kjo goditja e fundit, mendohej se më e forta ishte ajo me 6.7, por kjo është pasgoditja më e fortë. Ndodhja e magnitudave të tilla është paralajmërim që rreziku është ende shumë i lartë.”

 

Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga tërmeti që goditi Turqinë?

 

“Zona ku ndodhi tërmeti është shumë larg gjeografikisht me Shqipërinë, mbi 1500 km në distancë ajrore dhe për rrjedhojë impakti është zero, pra nuk mund ta impaktojë Shqipërinë. Shqipëria ndodhet mbi pllakën e Euroazisë në pjesën më skajore perëndimore të saj, në kontakt me mikropllakën e Adriatikut. Nga ajo që njihet deri tani, territori i Shqipërisë karakterizohet nga shkëputje tektonike, thyerje tektonike të një gjatësie të vogël le të themi, më pak se 100 km. Për rrjedhojë, tërmetet e pritshëm janë me potencial 6-6.7 të shkallës Rihter, me përjashtim të tërmetit të ’79 që bëhet fjalë për një thyerje në bregdetinn dalmat ose në zonën e bregdetit dalmat deri në kontaktin me territorin shqiptar, pra në Detin Adriatik. Ky ka qenë rekordi më i lartë I regjistruar, 6.9, i shkallës Rihter.”

 

Sipas sizmologëve, raportohet që ky të jetë tërmeti më i forti i regjistruar në Turqi, duke lënë pas atë të vitit 1999 me magnitudë 7.4, kur u shënuan 17 mijë viktima.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re