Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga homologu i tij Ramush Haradinaj.
 
Kryeministri maqedonas ka folur për interesat e përbashkëta të dy vendeve në rrugën e integrimit në BE dhe anëtarësimit ne NATO.
 
I pyetur nga gazetarët për rastin e Kumanovës, Zaev sqaroi se do të ketë një hetim ndërkombëtar që qytetarët ta dinë të vërtetën.
 
 “Kemi rënë dakord që të ketë edhe një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat. E gjithë kjo, me qëllim që t’iu jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit tonë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, gjithmonë me qëllim që të arrihet deri tek e vërteta”.
 
Kosovën dhe Maqedoninë sipas kryeministrit Haradinaj,  i bashkon orientimi euroatlantik i të dyja vendeve, ndërsa premtoi se në të ardhmen do të ketë takime të tjera të përbashkëta mes dy qeverive.
 
 “Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot vendime  që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”.
 
Zaev pritet të takohet më vonë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me kryetarin e Kuvendit,  Kadri Veseli.
 
Prania e kryeministrit Zaev në Prishtinë, shënon vizitën e parë të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re