Drejtori ekzekutiv i “Facebook-ut” Mark Zuckerberg është përballur me një sërë qëndrimesh të ashpra, pas publikimeve se Cambridge Analytica ka marrë të dhënat e 87 milionë përdoruesve të këtij rrjeti social gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Të dhënat e shpërndara mendohen të jenë rreth bindjeve politike dhe fetare, ngjarjeve të ndjekura dhe postimeve të pëlqyera nga miliona përdorues të saj.

Çka duan të dinë ligjvënësit është nëse “Facebook” ka shkelur një marrëveshje të vitit 2011 me Komisionin Federal të Tregtisë, ku u ka premtuar përdoruesve se aplikacionet e palëve të treta, mund të kenë qasje vetëm në informacionin e nevojshëm për të funksionuar.

“Ata padyshim nuk janë treguar të kujdesshëm ndaj zhvilluesve të aplikacioneve të palës së tretë”, thotë David Vladeck i firmës “Georgetown Law”.

Teksa “Facebook” mund të përballet me gjoba të konsiderueshme, Kongresi gjithashtu do të shohë se si ky rrjet social po planifikon të mbrojë privatësinë e përdoruesit në të ardhmen.

“Mënyra se si ndërveprojmë me këto platforma është e paqartë – vërtetë nuk mund të japësh pëlqimin në pjesën më të madhe dhe të gjithë e dinë këtë. Ju nuk i shihni qindra sy që po ju shohin ndërsa shkruani diçka në Facebook. Disa nga këto ndryshime duhet të vijnë nga ana e formatimit të faqes”, thotë Michelle De Mooy në Qendrën për Demokraci dhe Teknologji.

Ndërkohë bashkëthemeluesi i kompanisë Apple, Steve Wozniak, po ngre dyshime nëse “Facebook-u” ka një zgjidhje të menjëhershme ndaj problemeve me privatësinë.

“Facebook-u i mban gjërat e veta sekrete. Hipokrizi e madhe të mos respektojë privatësinë e përdoruesve. Kur Zuckerberg blen të gjitha shtëpitë rreth tij dhe të gjitha tokat, shkon në Hawai për të ruajtur privatësinë e tij, pasi ia di vlerën, por nuk pyet për privatësinë time”, tha Wazniak.

Mendohet që Zuckerbergu ka të ngjarë të përballet përsëri sot me një panel të Dhomës së Përfaqësuesve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re