Mark Zuckerberg, kreu i Facebook, foli për protestat e dhunshme të mbështetësve të Trump-it që hynë në Kongresin Amerikan. Facebook dhe Instagram kanë bllokuar vetë Trump-in për shkeljen e vazhdueshme të rregullave të këtyre rrjeteve sociale.

Zuckerberg foli për bllokadën e presidentit amerikan. Ai dënoi dhunën dhe sjelljen e Trump-it dhe zbuloi se bllokada në këto rrjete sociale do të zgjatet për të paktën dy javë të tjera, derisa pushteti të transferohet paqësisht te Joe Biden dhe administrata e tij.

“Ngjarjet tronditëse të 24 orëve të fundit tregojnë qartë se Presidenti Donald Trump synon të përdorë kohën e tij të mbetur në detyrë për të minuar tranzicionin paqësor dhe legjitim të pushtetit te pasardhësi i tij i zgjedhur Joe Biden.

 Vendimi i tij për të përdorur platformën për mbështetje (të protestave), në vend që të dënojë veprimet e mbështetësve të tij në ndërtesën e Kapitolit, me të drejtë ka mërzitur njerëzit në SHBA dhe në të gjithë botën. Ne i hoqëm deklaratat e tij sepse vlerësuam se efekti i tyre – dhe ndoshta qëllimi i tyre – do të ishte të provokonin dhunë të mëtejshme.

Pas konfirmimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Kongresi, përparësia për të gjithë vendin duhet të jetë tani të sigurojë që 13 ditët dhe ditët e mbetura pas inaugurimit të kalojnë në mënyrë paqësore dhe në përputhje me normat e vendosura demokratike,” shkroi Zuckerberg.

Ai vuri në dukje se në vitet e fundit, ata e kanë lejuar Trump që të përdorë platformën e tyre në përputhje me rregullat e tyre, duke hequr herë pas here përmbajtjen ose duke etiketuar postimet e tij kur ato shkelin politikat e tyre.

“Ne e bëmë këtë sepse besojmë se publiku ka të drejtë për një qasje sa më të gjerë të mundshme në fjalim politik, madje edhe në fjalim të diskutueshëm. Por konteksti aktual tani është thelbësisht i ndryshëm, duke përfshirë përdorimin e platformës sonë për të nxitur rebelim të dhunshëm kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.

 Ne besojmë se rreziqet e lejimit të Presidentit të vazhdojë të përdorë shërbimin tonë gjatë kësaj periudhe janë thjesht shumë të mëdha. Prandaj ne jemi duke zgjatur bllokadën që kemi vendosur në llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar dhe për të paktën dy javët e ardhshme derisa të përfundojë tranzicioni paqësor i pushtetit,” përfundoi Zuckerberg.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re