Zv.kryeministrja Senida Mesi ka deklaruar sot se së shpejti do të dalë në qarkullim “karta e qytetarit”, një mundësi më shumë për të përfituar shërbime më cilësore të administratës publike.

Numri dy i qeverisë, së bashku me Mario Marianin (Shef i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian), kanë prezantuar një plan të gjerë për ta sjellë shërbimin publik si shërbyes të qytetarëve.

Zonja Mesi përmendi ADISA-b, një projekt qeveritar që është shtrirë në zyrat e hipotekave të disa rretheve, për të cilën tha se do të zgjerohet dhe do të jetë jo thjesht një zyrë ku qytetarët të marrin dokumentet e pronësisë por edhe në zyra që ndihmojnë qytetarët për çdo aplikim.

Por zv.kryeministrja kërkoi që publiku të përfshihet më aktivisht në sistemin e bashkëqeverisjes nëpërmjet lidhjes direkte me mekanizmat që janë krijuar, siç janë portali qeverisës shqiperiaqeduam.com, por edhe linjat telefonike direkte.

“Na duhet një partneritet më i drejpërdrejt, në mënyrë që qytetarët të tregojnë sa më me detaje problemet që hasin në administratë. Ne e kemi vullnetin për ta kthyer administratën eficente dhe të shkathët, porn a duhet edhe ndihma e qytetarëve për të treguar çdo rast ku ata pengohen”, tha Mesi.

Kurse Mario Mariani deklaroi se BE do të vëzhgojë me detaje çdo project që i ka dhënë qeverisë shqiptare në mënyrë që të ndihmojë gjithnjë e më shumë qytetarët që të përfitojnë ndihmat e taksapaguesit europianë.

Zv.kryeministrja Senida Mesi, bëri të ditur gjithashtu në takimin me gazetarët se në çdo cep të Shqipërisë do të ketë zyra ku njerëzit nuk do të sorollaten por do të asistohen për të përfituar shërbimet.

“Administrata është shërbyese e qytetarëve dhe jo stresuese e tyre. Këtë do ta tregojmë edhe më shumë në ditët në vazhdim”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re