Zv/kryeministrja serbe, Zorana Mihajloviç, u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të hartojnë një strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik për ato vende.
Mihajloviç, e cila është edhe ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, tha se kjo do të ishte një nga temat e bisedimeve me liderët shqiptarë dhe të Maqedonisë Veriore, Edi Rama dhe Zoran Zaev në fillim të tetorit në Beograd, të iniciuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, dhe me temën e formimit të “Shengenit të vogël”.
“Secili prej vendeve të Ballkanit Perëndimor është ende mjaft i vogël për të tërhequr investitorë globalë, pa të cilin është e pamundur të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike. Por së bashku ne mund të jemi më konkurrues, si me Bashkimin Evropian, ashtu edhe me tregjet e tjera botërore. Kjo u demonstrua qartë nga çështja e hapjes se fabrikaës së re të Wolkswagen-it”, tha Mihajloviç,.
Ajo shtoi se nuk bëhej fjalë për krijimin e një “Jugosllavie të re” ose “një Ballkan të shkëlqyeshëm”, por aplikimin e një logjike të pastër ekonomike, e cila mund të sigurojë një jetë më të mirë për qytetarët.
“Ajo që secili prej nesh duhet të bëjë, është që të heqë të gjitha pengesat e brendshme doganore dhe kufitare për transportin e mallrave dhe shërbimeve midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Mund të kemi gjithashtu mbështetje nga Komunitetet e Transportit, selia e të cilave u hap kohët e fundit në Beograd”, theksoi ministrja.
Mihajloviç tha se do të ishte shumë mirë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një politikë të harmonizuar të infrastrukturës.
“Ndoshta hapi i parë në këtë drejtim mund të jetë formimi i një rrjeti rajonal të ngarkuesve të automjeteve elektrike, sepse është një teknologji që sigurisht është e ardhmja, si dhe një tarifë unike në autostradat, e cila do t’u mundësonte qytetarëve tanë që të kalojnë rampat e taksave pa u ndalur”, deklaroi ajo.