Zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, mbrëmë vonë tha se të paktën 1.100 civilë janë evakuuar në Ukrainë në 24 orët e fundit.

Iryna Vereshchuk, e cila është gjithashtu ministre për riintegrimin e territoreve të pushtuara përkohësisht, tha në konferencën e saj se civilët janë evakuuar në zona të sigurta përmes dy korridoreve humanitare.

Duke vënë në dukje se ata do të vazhdojnë të evakuojnë civilët nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, Vereshchuk tha se evakuimet nga rajoni verilindor Sumy do të fillojnë sot.

Centrali bërthamor i Çernobilit

Vereshchuk njoftoi gjithashtu se i gjithë stafi ukrainas i centralit bërthamor të Çernobilit, staf i cili ka punuar në centralin bërthamor për më shumë se 600 orë, ua dorëzoi detyrat e tyre 59 personave, përfshirë gjashtë gra, të cilët ranë dakord të merrnin përsipër detyrat e tyre. Fabrika ka qenë nën kontrollin e ushtarëve rusë për më shumë se një muaj.

Ukraina humbi kontrollin e centralit bërthamor të Çernobilit pas një beteje të ashpër me forcat ruse, tha këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, më 24 shkurt ditën e parë të luftës Rusi-Ukrainë.

Më 25 shkurt, Inspektorati Shtetëror për Rregullativën Bërthamore të Ukrainës (SINR) raportoi se “nivele të tepërta të rrezatimit” ishin zbuluar në Çernobil pasi forcat ruse morën kontrollin e qytetit, por zyrtarët rusë kanë mohuar çdo rritje të niveleve.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

“Në kontekstin e sigurisë bërthamore, veprimet e papërgjegjshme dhe joprofesionale të ushtrisë ruse përbëjnë një kërcënim shumë serioz jo vetëm për Ukrainën, por edhe për qindra miliona evropianë. Prandaj, ne kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë masa të menjëhershme për të demilitarizuar Zonën e centralit bërthamor të Çernobilit dhe krijimin e një misioni të posaçëm të OKB-së për të eliminuar rrezikun e përsëritjes së katastrofës bërthamore të Çernobilit si rezultat i veprimeve të forcave pushtuese ruse”, tha ajo.

Vereshchuk theksoi se trupat ruse vazhduan të militarizonin zonën, duke shtuar se ekziston një rrezik i madh për të dëmtuar strukturat e izolimit të ndërtuara në njësinë e energjisë nr.4 të centralit bërthamor pas shpërthimit të tij në vitin 1986.

Ajo nënvizoi se një dëm i tillë në mënyrë të pashmangshme do të çonte në shpërndarjen e një sasie të konsiderueshme pluhuri radioaktiv në atmosferë, duke rezultuar në ndotjen e Ukrainës dhe vendeve të tjera evropiane.

“Okupatorët i injorojnë këto kërcënime dhe vazhdojnë të transportojnë dhe ruajnë sasi të mëdha municionesh në afërsi të centralit bërthamor. Dhjetëra tonë raketa, predha artilerie dhe municione mortajash transportohen çdo ditë nga pushtuesit rusë përmes qytetit Prypyat, disa qindra metra nga zona e izoluar e centralit bërthamor. Gjithashtu, municionet ruhen në qytetin Çernobil, pranë qytetit Prypyat, jo shumë larg centralit bërthamor. Qindra tonë municione mbahen në qytetin e Çernobilit”, tha ajo.

Vereshchuk paralajmëroi gjithashtu se zjarre të mëdha kishin shpërthyer në zonën, që mund të shkaktonin pasoja të rënda.

“Megjithatë, sot është e pamundur të kontrollohen dhe të shuhen plotësisht zjarret për shkak të kapjes së zonës nga forcat pushtuese të Rusisë. Si rezultat i zjarreve, radionuklidet lëshohen në atmosferë. Ato mund të barten nga era në distanca të largëta, që kërcënon rrezatim për Ukrainën dhe vendet e tjera evropiane”, tha ajo.

Në vitin 1986, një aksident i njohur si fatkeqësia më e keqe bërthamore në botë, ndodhi në reaktorin nr. 4 në centralin bërthamor të Çernobilit. Centrali bërthamor ndodhet 16 kilometra nga qyteti Prypyat, i cili u ndërtua në vitet e 70-ta për punëtorët në centralin bërthamor.

Që nga katastrofa, zona ka qenë kryesisht e pabanuar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re