Zv.presidenti turk, Fuat Oktay, ka deklaruar se Turqia e konsideron luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së mjedisit si një nga prioritetet e saj kryesore.

Në adresimin e tij në Forumin e Mjedisit, të organizuar nga AA në Istanbul, zv.presidenti Oktay tha si palë në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, Turqia njoftoi objektivin e saj të emetimeve neto zero deri në vitin 2053 dhe zbuloi vizionin e saj të fortë për ndryshimet klimatike.

Në këtë drejtim, tha ai, Turqia përgatiti planin e veprimit të marrëveshjes së gjelbër për “transformimin e gjelbër të fokusuar në prodhimin industrial miqësor ndaj mjedisit dhe përcaktoi udhërrëfyesin e saj”.

Oktay tha se po vazhdojnë përpjekjet e Ankarasë për ligjin e klimës, që do të jetë një “gur themel në luftën e vendit kundër ndryshimeve klimatike”.

Ai shtoi se Turqia gjithashtu përcakton politikën e saj të reduktimit të gazeve serrë duke marrë parasysh mendimet e të gjithë aktorëve përkatës si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Në përputhje me objektivin e Ankarasë për emetimin neto zero, tha Oktay, “ne planifikojmë të përfundojmë strategjinë afatgjate të klimës së Turqisë deri në fund të këtij viti”.

“Ndërkohë, po shtojmë numrin e porteve tona të gjelbra”, shtoi ai.

Vendosmëria e Turqisë për të luftuar ndryshimet klimatike

Duke folur për vendosmërinë e Turqisë për të luftuar ndryshimet klimatike, Oktay tha se, “Ne jemi një nga vendet kryesore në botë në luftën kundër shkretëtirëzimit dhe erozionit”.

Më tej, ai njoftoi se 54,3 për qind e energjisë elektrike e Turqisë përbëhet nga burime të rinovueshme. Për sa i përket kapacitetit të instaluar, ai tha se Türkiye për hidro-elektricitetin renditet e dyta në Evropë dhe e nënta në botë.

Ai po ashtu njoftoi se Turqia gjithashtu renditet e para në Evropë dhe e katërta në botë për energjinë gjeotermale, ndërsa në energjinë e erës vendi renditet e shtatë në Evropë dhe e 12-ta në botë. Për sa i përket energjisë diellore, siç tha zv.presidenti turk, vendi renditet e teta në Evropë dhe e 16-ta në botë.

Gjithashtu, tha Oktay, me projektin zero mbetje u parandaluan 3,9 milionë tonë emetime të gazeve serrë, si dhe shtoi se 347 milionë pemë janë shpëtuar përmes këtij projekti.

Ai po ashtu bëri të ditur se lëndët mjedisore dhe për ndryshimet klimatike janë shtuar në programet mësimore në shkolla.

Okay gjithashtu falënderoi AA-në për organizimin e Forumit të Mjedisit për të trajtuar rolin e medias në ndryshimet klimatike.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re