Gjykata Federale në Argjentinë dënoi të martën me 6 vjet burg zëvendëspresidenten Cristina Fernandez de Kirchner, si dhe ndalesën për të ushtruar poste publike.

Fernandez de Kirchner u shpall fajtore për një mashtrim miliarda dollarësh lidhur me dhënien e kontratave të punëve publike në provincën jugore Santa Cruz.

Prokurorët argumentuan se kontratat e punëve publike iu dhanë një miku të Fernandez de Kirchner, i cili ia ktheu paratë asaj dhe burrit të saj të ndjerë, ish-presidentit Nestor Kirchner.

Pas dënimit, Fernandez de Kirchner u paraqit në një video të drejtpërdrejt në kanalin e saj në YouTube, duke denoncuar akuzat kundër saj.

“Ky është një shtet paralel dhe gjyqësi mafioze. Dënimi i vërtetë nuk është burgu, por përjashtimi i përhershëm nga mbajtja e posteve publike”, tha Fernandez de Kirchner.

Ajo përmendi atentatin ndaj saj në shtator të këtij viti, duke këmbëngulur se kundërshtarët e saj në vend “e duan atë të vdekur ose në burg”.

Presidenti argjentinas Alberto Fernandez dënoi vendimin e dënimit të Fernandez de Kirchner.

“Sot në Argjentinë u dënua një person i pafajshëm. Dikush që autoritetet u përpoqën ta stigmatizojnë përmes mediave dhe u përndjek nga gjyqtarë që shëtisin me avionë privatë dhe qëndrojnë në vila luksoze gjatë fundjavave”, ka shkruar Fernandez.

Ajo theksoi se nuk është ndjekur një procesi i rregullt, duke këmbëngulur se ai qëndron në solidaritet me Fernandez de Kirchner, të cilën e përshkroi si “viktimë të një persekutimi absolutisht të padrejtë”.

Më herët gjatë ditës, qindra mbështetës të Fernandez de Kirchner protestuan përpara gjykatës federale në kryeqytetin Buenos Aires, ku shumë prej tyre mbanin pankarta që denonconin persekutimin politik kundër saj.

Fernandez de Kirchner nuk do të përballet me pasoja të menjëhershme, pasi dënimi duhet të konfirmohet nga Gjykata e Lartë.

Sipas vendimit, asaj i ndalohet kryerja e funksioneve publike, por si kryetare e Senatit dhe si deputete, ajo është e mbrojtur nga ndjekja penale.

Në të kaluarën, zv/presidentja pretendonte se ishte në shënjestër të kundërshtarëve politikë.

Fernandez de Kirchner shërbeu dy mandate si presidente midis 2007 dhe 2015 dhe gëzon mbështetje të gjerë, veçanërisht pas atentatit ndaj saj në shtator.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re