“Unë isha e vdekur, por u risolla sërish në jetë” Kështu thotë një vajzë, e cila u ndodh përballë flakëve që kishin kapluar shtëpinë e saj në Gjenevë, Zvicër.
Mehxhidi, një 26 vjeçar nga Kosova, po kalonte rastësisht në rrugë, kur pa banesën e përfshirë nga flakët. I riu dëgjoi thirrjet për ndihmë dhe vendosi të hyjë në mesin e flakëve për të ndihmuar vajzën.
“Dikush po bërtiste nga ballkoni. Tym po dilte nga dritarja e katit të parë. Hyra brenda por aty kishte aq shumë tym saqë nuk mund të shihja dot askënd. Dola jashtë për t’u mbushur me frymë dhe hyra sërish brenda. Munda të tërheq vajzën pranë dritares, por s’munda ta nxjerr jashtë. Një prej fqinjëve aty më dha një leckë të lagur kështu që hyra prap brenda, mendova se kishte një fëmijë aty… por nuk kishte. Më tutje erdhën zjarrfikësit”-tregoi 26 vjeçari.
Media zvicerane 20 min.ch i ka kushtuar një artikull ngjarjes dhe aktit heroik të 26 vjeçarit shqiptar. Vajza që Mehxhidi ndihmoi për të shpëtuar ishte me origjinë serbe, e quajtur Ivana.
“Ai u hodh në zjarr për mua, ndërsa tjerët aty me siguri menduan për veten” tregoi Ivana, teksa shtoi se u shpëtua “nga një shqiptar i Kosovës në natën e pashkëve ortodokse dhe në muajin e Ramazanit”
Ivana qëndroi 4 ditë në spital, ndërsa për shkak të intoksikimit nga tymi, Mehxhidi qëndroi 1 ditë në spital. 26 vjeçari nuk e dinte se kishte shpëtuar një vajzë serbe dhe për median tregoi se nuk do të kishte rëndësi edhe sikur ta dinte më para.
“Nëse do ta dija (se ishte serbe) nuk do të kishte bërë asnjë diferencë. Aty kishte një jetë për t’u shpëtuar, serbe apo shqiptare, nuk kishte rëndësi”-tha 26 vjeçari.
E në fakt Mehxhidi rezulton të jetë pa dokumenta dhe nuk kishte asnjë interes për të ‘ekspozuar’ veten. Sot, shkruan media zviceriane, 26 vjeçari shqiptar shpreson që altruizmi i tij nuk do ta lëndojë, ndërsa Ivana është shprehur se nuk do ta lërë në baltë njeriun që i shpëtoi jetën.
Burimi: 20min.ch/ Pëktheu e përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info