Autoritetet zvicerane kanë zgjedhur një vendndodhje në veri të vendit, jo shumë larg kufirit me Gjermaninë, për ndërtimin e një depoje të thellë gjeologjike për asgjësimin e mbetjeve radioaktive.

Pas gati 50 vitesh kërkimi për mënyrën më të mirë për ruajtjen e mbetjeve radioaktive, vendi po përgatitet për “projektin e shekullit”, i cili parashikon varrosjen thellë nën tokë tw karburantit të harxhuar bërthamor, shkruan Guardian.

Shoqata Kombëtare për Deponimin e Mbetjeve Radioaktive (NAGRA) tha se kishte vendosur që rajoni i Nördlich Lägern ishte më i miri nga tre vendet që kishte konsideruar për deponimin e nëndheshëm.

Zëdhënësi i organizatës, Felix Glauzer, shpjegoi se kërkimet e shumta kanë treguar se Nördlich Lägern është lokacioni më i përshtatshëm dhe ofron sigurinë më të madhe.

NAGRA ka informuar banorët vendas për vendimin dhe pritet të paraqesë një propozim në qeverinë zvicerane të hënën.

Qeveria duhet të marrë një vendim përfundimtar vetëm në vitin 2029, por çështja ka shumë të ngjarë të shkojë në një referendum para kësaj, sipas sistemit të famshëm zviceran të “demokracisë së drejtpërdrejtë”, sipas Guardian.

Termocentralet bërthamore zvicerane kanë pompuar mbetje radioaktive për më shumë se gjysmë shekulli, por pas katastrofës bërthamore të vitit 2011 në termocentralin Fukushima në Japoni, Zvicra vendosi të heqë dorë nga energjia bërthamore dhe reaktorët e saj mund të funksionojnë për aq kohë sa janë të sigurt.

Aktualisht mbetjet bërthamore po hidhen në një “depo të përkohshme” në Würenlingen, 15 kilometra nga kufiri me Gjermaninë.

Në magazinimin e ri është planifikuar që 83,000 metra kub mbetje radioaktive, përfshirë mbetjet me aktivitet të lartë, që të groposen.

Ky vëllim korrespondon me jetëgjatësinë 60-vjeçare të funksionimit të termocentraleve bërthamore Beznau, Gosgen dhe Leibstadt dhe 47 vitet që termocentrali bërthamor Mühleberg ishte në funksion përpara mbylljes së tij në 2019.

Mbushja e depove nëntokësore duhet të fillojë në vitin 2060, e ndjekur nga disa dekada monitorimi të kujdesshëm.

Kasaforta do të vuloset në shekullin e 22-të. Deri më tani, vetëm Finlanda ka ndërtuar një depo gjeologjike në granit, ndërsa Suedia mori “dritën jeshile” për ndërtimin e një objekti të ngjashëm në janar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re