Qeveria zvicerane do të investojë edhe 7 milionë franga në sektorin e ujërave në Kosovë. Kjo u bë e ditur gjatë nënshkrimit të marrëveshja financiare ndërmjet Ministrisë së Financave dhe qeverisë Zvicerane për “Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale, Faza VI”.

Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza, falënderoi qytetarët zviceranë që me taksat e tyre po ndihmojnë qytetarët e Kosovës të kenë qasje në ujësjellës dhe ujë të pijes.

“Ka shumë nevoja, ka shumë prioritete vendi ynë, por investimet e taksapaguesve zviceran në Kosovë janë në top prioritete. Nuk ka më prioritet se të përmirësojmë furnizimin me ujë të qytetarëve të Kosovës i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen e standardit të tyre dhe i cili e ruan shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Deri më tani shteti zviceran ka investuar 38 milionë frang. Sot marrëveshja të cilën e nënshkruam janë edhe 7 milionë frang investime në këtë sektor, i cili do të përmirëson, zgjeron dhe do të rritë përqindjen e popullsisë që janë të lidhur me rrjetin e ujësjellësit”, tha Hamza.

Ai bëri me dije se nga fillimi i këtij mandati si ministër deri sot, ka sjellë mbi 80 milionë euro grante në sektorin e ujërave.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet theksoi se kjo fazë do të shënojë fazën përfundimtare të programit të ujit në zonat rurale.

“Kemi arritur të bëjmë diçka shumë të mirë dhe për të arritur atë që 90 për qind e familjeve të jenë të furnizuara me ujë të pijshëm. Ideja është që të kemi qëndrueshmëri në këtë sektor. Për gjatë këtyre viteve ju kemi mbështetur por tani ju ka mbetur juve që të merrni përsipër këto obligime dhe t’i kryeni vet dhe unë jam i bindur se ju jeni në gjendje ta bëni këtë”, tha Lebet.

Kurse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se ky projekt ka rëndësi të madhe sepse e rregullon me tepër infrastrukturën dhe i ofrohet asaj që ka për qëllim qeveria, mbulueshmërinë 100 për qind të qytetarëve me ujë të pijes.

“Qëllimi i këtij projekti është që t’i inkuadrojmë të gjitha fshatrat me sisteme të ujësjellësve rajonal për t’iu siguruar ujë të sigurt të pijes për gjithë ata banorë. Dhe me përfundimin e këtij projekti do të kemi mbi 91 për qind të popullatës së Kosovës në sistemin e ujësjellësve rajonal, një ujë i kontrollueshëm, me furnizim të rregullt dhe gjëra të tilla”, u shpreh Lluka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re