Autoritetet zvicerane kanë hequr Shqipërinë nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë infektimi nga COVID-19.

Ambasada zvicerane ka njoftuar masat e reja që do të aplikohen për të gjithë ata që lejohen të udhëtojnë në Zvicër, konkretisht, shtetas shqiptar me leje qëndrimi në Zvicër apo shtetas zviceran të cilët udhëtojnë nga Shqipëria.

“Duke filluar që prej datës 8 prill, ata që do të udhëtojnë drejt Zvicrës nuk do të kenë më detyrim karantinimi në momentin e mbërritjes. Heqja e Shqipërisë nga kjo listë parashikon që udhëtarët nga vendi ynë në drejtim të Zvicrës, të cilët udhëtojnë në rrugë ajrore do të kenë detyrimin të plotësojnë një formular digjital me të dhëna dhe të paraqesin rezultatin negativ të testit PCR të kryer jo më herët se 72 orë para udhëtimit. Për ata që udhëtojnë në rrugë tokësore me mjete transporti publik do të aplikohet vetëm plotësimi i formularit digjital, pa pasur detyrimin e paraqitjes së testit negativ PCR, ndërsa ata që udhëtojnë me automjete private në rrugë tokësore nuk kanë detyrim të paraqesin asnjë nga dokumentet e mësipërme. Për më shumë informacione konsultoni linkun e mëposhtëm: https://www.bag.admin.ch/bag/en/home/krankheiten/ausbrueche-epidemien-pandemien/aktuelle-ausbrueche-epidemien/novel-cov/empfehlungen-fuer-reisende/quarantaene-einreisende.html?fbclid=IwAR1Vw9ATXwivIDTyqCA1OqNdy9gUZAwmi9_9O_K3i90AnoYjsYjX_iutxO0 “,thuhet në njoftim.