Home SHQIPERIA Zyrë informacioni për turistët në Tiranë

Zyrë informacioni për turistët në Tiranë

0

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Në ditën ndërkombëtare të Turizmit, Bashkia e Tiranës çeli një qendër të re informacioni për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë kryeqytetin, duke ofruar të dhëna rreth transportit publik, operatorëve turistikë, guidave, si dhe aktiviteteve të shumta kulturore dhe sportive.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vuri në dukje rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po merr turizmi për zhvillimin ekonomik të Tiranës. “Jam shumë i lumtur sot që në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit hapim një Info-Point, një qendër informacioni të fokusuar tek turistët për qytetin e Tiranës, këtu në kilometrin zero, në sheshin “Skënderbej”. Besojmë gjithnjë e më shumë se turizmi do të jetë një mënyrë se si do të funksionojë ekonomia e Tiranës. Tirana, përveç se është epiqendra e artit, kulturës, ekonomisë, financës, arsimit dhe universiteteve, është pa dyshim edhe destinacioni primar turistik, përpara se turistët të shkojnë e të eksplorojnë pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku deklaroi se turizmi në kryeqytet është rritur me 2.5 herë, duke sjellë një impakt tepër pozitiv edhe në ekonomi. Duke e cilësuar turizmin si të ardhmen e qytetit, Veliaj theksoi se ky sektor po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë. “Jemi në rrugë të mbarë. Besoj që në kilometrin zero, pasja e kësaj qendre informacioni do të jetë edhe stacioni i parë për të gjithë turistët që vijnë në Tiranë, si një mënyrë për ta parë turizmin, jo vetëm si instrument për të shfaqur dhe për t’u ndierë krenarë me atë që ofron Tirana, por edhe si mënyrë për të bërë para për ekonominë lokale. Sot, njerëzit që janë punësuar nga rritja 2 herë e gjysmë e turizmit numërohen duke filluar nga sektori i kuzhinës, i shërbimeve, tek hoteleria, guidat turistike etj. Po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytet dhe besoj se kjo është e ardhmja e Tiranës, pastaj edhe e gjithë Shqipërisë”, deklaroi ai.

 

Zyra e re e Info Point ofron informacione për Tiranën përmes broshurave, fletëpalosjeve, hartave të reja, si dhe informacionit të specialistëve të turizmit për këdo që do të kalojë disa ditë fantastike në kryeqytet dhe të shijojë jetën kulturore dhe artin e kulinarisë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë