
Klubi i Futbollit Tirana në pak orë ka bërë një revolucion të plotë në drejtim. Pas shkarkimit të trajnerit Vangjel Mile pas vetëm dy javësh në stol dhe emërimit në vendin e tij të Roberto Bordin (me ndihmës Marco Veronese), roli i Drejtorit Sportiv i është besuar Omer Bunjakut.
Shqiptari nga Maqedonia e Veriut ka një përvojë të pasur si Drejtor Sportiv te FC Shkupi për gjashtë vite (nga 2017-2023) duke fituar një titull kampion, si edhe ka mbajtur të njëjtin post te FC Ballkani në Kosovë nga 2023-2025 duke fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën.
“Klubi i Futbollit Tirana prezanton drejtorin e ri sportiv, Omer Bunjaku. Me një përvojë të gjatë në menaxhimin e klubeve jashtë vendit, Bunjaku ka qenë pjesë e disa projekteve të rëndësishme në futboll. Ai ka mbajtur role drejtuese dhe është angazhuar në ndërtimin e strukturave sportive që kanë sjellë sukses të qëndrueshëm si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, njofton KF Tirana.
