Skip to content

ZYRTARE: Sekretari amerikan i Shtetit takon sot Edi Ramën në Bruksel

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të takohet sot me Edi Ramën në Bruksel. Në njoftimin zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se takimi zhvillohet në orën 17:30 me orën lokale.

Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm për vendin tonë, kur në muajin e ardhshëm pritet vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Por takimi përkon edhe me zhvillimet e rëndësishme politike mes Shqipërisë dhe SHBA, kur vetëm pak ditë më parë DASH vendosi të shpallë “non-grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ndërkohë Blinken ndodhet në Europë për të shoqëruar Presidentin e SHBA, Joe Biden gjatë vizitave të tij në Britaninë e Madhe, Belgjikë e Zvicër.

Blinken do e shoqërojë Bidenin edhe në Samitin e NATO-s më 14 qershor dhe në Samitin SHBA-BE më 15 qershor.

Në fund ai do të jetë pjesë edhe e takimit Biden-Putin në Gjenevë.