Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Teravakoski, është takuar me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.

Lajmin e jep vetë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e cila thotë se takimet e zyrtarit të lartë erdhën në kuadër të partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes dy vendeve kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, një nga prioritetet e administratës së presidentit Trump.

“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, njoftoi ambasada.

Zyrtari i lartë amerikan është takuar edhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, atë të Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani, ministren e Brendshme, Albana Koçiu, ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari si dhe kreun e BKH-së, Joni Keta.

Një takim e pati edhe me kreun e shtetit, Bajram Begaj.

Në të, ai shoqërohej nga e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re