Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur axhendën e Gabriel Escobar i dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor që do të vizitojë Tiranë pas dy ditësh.

Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Sipas Ambasadës së SHBA, ai do të konfirmojë mbështetjen e SHBA për demokracinë në Shqipëri, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

“Më 9 dhjetor, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. 

Escobar do të takohet me kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re