Në Tryezën e organizuar nga OSBE për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kërkuan që dialogu mes palëve për Reformën Zgjedhore të garantonte gjithpërfshirje dhe të koordinohej nëpërmjet një mekanizimi të posaccëm që përfshinte një përfaqësues të Parlamentit dhe një përfaqësuesi të Opozitës së Bashkuar, në ndërmjetësimin dhe prezencën edhe të partnerëve ndërkombëtar.

Menjëherë pas Tryezës, Ambasadori Bochard u shpreh se OSBE nuk mund të luaj rolin e kërkuar nga Partia Demokratike dhe opozita, dhe se nuk mund të jenë prezent dhe ndërmjetësues në këtë proces. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Greminger, gjatë vizitës së sotme në Tiranë ka mbajtur një tjetër qëndrim.

Zyrtari i lartë i OSBE, ne konferencën e përbashkët me Ministrin Cakaj, u shpreh qartësisht se OSBE është e gatshme të ofrojë tre gjera në kuadër të Reformës Zgjedhore:
1- Të sjellë ekspertizë teknike për standardet zgjedhore;
2- Të kujtojë angazhimet që duhet të përmbush Shqipëria në kuadër të Reformës Zgjedhore;
3- Të ndërmjetësojë dialogun mes palëve politike.

Pika e tretë e angazhimeve që mund të marrë OSBE në kuadër të Reformës Zgjedhore, pra ndërmjetësimi dhe prezenca e partnerëve ndërkombëtar në diskutimet mes palëve, është në fakt kërkesa që ka paraqitur Partia Demokratike, për ti bërë bashkë palët në realizimin e Reformës Zgjedhore.

Kujtojmë se realizimi i Reformës Zgjedhore me përfshirjen e të gjitha partive politike është edhe një nga kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë.

Kjo është hera e parë kur një zyrtar ndërkombëtar, që përfaqëson organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve, shpreh gadishmërinë për të luajtur rolin e ndërmjetësuesit mes palëve në këtë proces.

Pas këtij zhvillimi të ri, dhe gadishmërisë së shprehur publikisht nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, pritet të shikohet sjellja e Qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, mbi kërkesën e opozitës, që për Reformën Zgjedhore të ngrihet një strukturë e posaccme me një përfaqësues të Parlamentit dhe një përfaqësues të opozitës, me prezencën, monitorimin dhe ndërmjetësimin e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar.

OSBE është e gatshme ta marrë këtë rol. A është i gatshëm Kryeministri ta pranojë këtë? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim. E rëndësishme në këtë moment është fakti që partnerët ndërkombëtar dëshirojnë dialogun mes palëve për ti dhënë fund krizës politike dhe për këtë janë të gatshëm edhe të luajnë rolin e ndërmjetësuesit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re