Një zyrtar i lartë i NATO-s tha sot se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përballen me një “kërcënim të afërt” nga lufta në Ukrainë dhe se ato përfaqësojnë interesin strategjik të Aleancës Perëndimore.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana ka folur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku ka takuar zyrtarë vendas dhe ka vizituar misionin e KFOR-it.

Ai dënoi luftën “e palogjikshme dhe brutale” në Ukrainë dhe “ndikimin e saj agresiv dhe malinj në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne kemi një interes strategjik… në Ballkanin Perëndimor. Dua të dërgoj një mesazh paqeje për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor se në fund të gjithë do ta gjejmë veten në familjen evropiane dhe euroatlantike”, tha Geoana për AP.

Disa vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s – Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Geoana përshëndeti anëtarët e NATO-s në rajon që rritën shpenzimet ushtarake, si një “reagim i natyrshëm kur sheh një Rusi agresive”, dhe shtoi se NATO do të mbrojë të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit.

Ai ripohoi premtimin e Aleancës për të qëndruar pranë Ukrainës në terma afatgjatë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re