Në takimin Konsultativ të Ministrisë së Brendshme me Donatorët, ku ishin të pranishëm dhe ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca, Bledi Çuçi njoftoi se Ilir Beqja është zgjedhur në krye të agjensisë që merret me ndihmat e donatorëve.

Vetë Beqaj, i cili e gjeti veten jashtë qeverisë dhe Kuvendit, pas zgjedhjeve të 25 Prillit, tashmë do të jetë në krye të një drejtorie që do të merret me menaxhimin e ndihmave që i vijnë Shqipërisë nga aleatët.

Emërimi i Beqajt në këtë drejtori ishte paralajmëruar prej kohësh, dhe sipas opozitës kjo nuk është gjë tjetër veçse një mbivendosje ndaj rolit dhe funksionit të ministrisë së financave.

Sipas PD, Beqaj do të jetë në krye të drejtorisë për menaxhimin e Fondeve të Donatorëve, njësoj si një ministër pa portofol.

“Agjencia në fjalë njësoj si 2 agjencitë e tjera është thjesht një kod për të fshehur punën reale që ato do bëjnë. Pra, Agjencia do të ndërtojë politika, do menaxhojë fonde, do të jetë një ministri e re e financave. Kjo sajesë, njësoj si Agjencia e Mediave dhe ajo e Bashkëqeverisjes, do të jenë hambari i punësimeve politike dhe partiake, që do të zhvlerësojnë dhe shumëzojnë me zero infrastrukturën dhe paratë e shpenzuara për punësimin e administratës civile.

Së fundi, jo nga rëndësia, kjo Agjenci do të distancojë qytetarët dhe përfituesit nga entitetet që ofrojnë fondet. Kjo agjenci e sajuar është për të mbivendosur funksionet kuptohet për interesa klienteliste dhe korruptive”, deklaronte pak kohë më parë deputetja e PD-së Jorida Tabaku.

Lexo edhe lajmin:

Një ”ministri” për Ilir Beqjan? Reagon PD pas vendimit të qeverisë Rama: Janë kode për të fshehur…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re