Subscribe

Gjykata e posaçme vlerëson sot masën e sigurisë për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e akuzuar për korrupsion me një tender publik.

330 mijë lekë ka qenë vlera e ryshfetit që dyshohet të ketë përfituar zyrtarja në këmbim të favorizimit të një kompanie private, për të supervizuar rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Tiranë e Durrës.

Këto para, të cilat zyrtares së ministrisë iu gjetën në zyrën e punës, ia dha Laura Shteto, e cila ishte me detyrë specialiste në Agjencisë e Shërbimeve Publike. Ajo u arrestua mbrëmjen e së premtes dhe ndodhet në gjykatë së bashku me Duron për masën e sigurisë.

Prokurimi në fjalë kishte për objekt supervizimin për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës, me fond limit prej afro tetëqind mijë lekë.

Ishin hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcat Operacionale, që u vunë prangat në flagrancë dy zyrtareve të dyshuara për veprën penale të korrupsionit. Paratë e gjetura në zyrën e Joana Duros tashmë janë sekuestruar nga prokuroria e posaçme.

Ndërkohë, ditën e djeshme në pranga ranë edhe dy bashkëpunëtore të tjerë, administratori i kompanisë që do të ekzekutonte punimet, Vladimir Topi dhe inxhinieri i kësaj shoqërie private, Silvi Shehi.

Nga hetimet rezulton se Shehi ka marrë 330 mijë lekë të rinj nga Topi dhe ia ka dhënë zyrtares Laura Sheto.

Pritet që nesër të njihen me masën e sigurisë edhe dy personat që u arrestuan të dielën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re