Tomori në sezonet e fundit që ka luajtur në kategoritë inferiore është mburrur me elementët e talentuar që ka prodhuar. Sigurisht tashmë emri simbol është bërë Myrto Uzuni që ia doli të bëhet edhe pjesë e kombëtares. Por të rinj beratas janë pjesë e skuadrave në Kategorinë e Parë dhe Superiore duke treguar punën e mirë që po bëhet me moshat në klubin beratas.

Emri më i ri i talentuar i kësaj shkolle është Sali Kumani. Mesfushori 18 vjeçar është kapiteni i skuadrës Tomori U19 por edhe pjesë e ekipit të parë ku provën e parë e bëri në miqësoren ndaj Albpetrolit.

‘’Sili’’ si e thërrasin shokët dallon për driblimet, asistet dhe punën që bën në mesin e fushës dhe shumë presin që është radha e tij për të bërë hapin e madh. Në një bisedë për “Panorama Sport’’ Kumani flet nga Kategoria Superiore që po provon me moshat deri te skuadra e parë.

‘’Sigurisht sezoni i shkuar ishte fantastik dhe mendoj kemi bërë një arritje të rëndësishme për futbollin e moshave në Berat. Ishte puna e trajnerit tonë Droboniku dhe grupi i mirë që u krijua me shumë element të talentuar që solli suksesin. Por kjo duhet të jetë një detyrim për Beratin që ashtu, si për skuadrën e parë edhe për moshat duhet të luaj në elitë gjithmonë. Këtë vit po vuajmë ndryshimet që na ka ndodhur në skuadër pasi disa element të rëndësishëm na janë larguar por edhe koefiçienti i vështirësisë është më i lartë. Por pavarsisht kësaj në po punojmë që në vazhdimin e sezonit të tregojmë një tjetër fytyrë për të siguruar qëndrimin në këtë kategori.

Përsa përket stërvitjes me skuadrën e parë ajo është kënaqësi e madh. Për çdo të ri të luash për skuadrën e qytetit tënd është ëndrra e parë e madhe futbollistike. Aq më tepër skuadra këtë sezon të ngjitet në Kategorinë Superiore dhe kjo po më jep mundësinë të stërvitem me futbollist të talentuar dhe me eksperiencë. Po ashtu pas trajnerit Arbri po stërvitem nga një trajner ekspert, si Devolli. Jam i sigurt që kjo do më ndihmoj shumë për të ardhmen time. Ndaj Albpetrolit ishte prezantimi i parë në një ndeshje me Tomorin edhe pse miqësore kënaqësia ishte e madhe. Për arsye që nuk lidhen me zgjedhjet e stafit teknik më vjen që kam humbur prezantimin në ndeshjet e Kupës ndaj Bylis por në fushë shpresoj t’ia dalë që këtë sezon të bëj prezantimin tim me ekipin e parë në mënyrë zyrtare./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re