“Jelekët e verdhë” i hapën punë jo vetëm Francës, por një pjese të mirë të kontinentit, duke u bërë shembull në ngritjen krye kundër pushtetit. Rritja e çmimit të naftës ishte vetëm preteksti, që mund të gjendej dhe në diçka tjetër, për ta shndërruar zhgënjimin në forcë anarkiste, që merr përpara çka gjen, verbohet dhe djeg ç’të mundet.

Parisi është prej javësh nën darën e të rebeluarve; qytete të tjera europiane janë përballur po ashtu me zemërim njerëzish të zhgënjyer. Në mos qoftë tërësisht e ndezur, situata është e nderë ngado. Ankthi është i pranishëm: e kujt është radha?

Për të dhënë një panoramë më ndryshe, për ta fshehur përplasjen, mendon media perëndimore, mjeshtre e standardeve të dyfishta. Ngaqë fushëbeteja është Parisi (për të përmendur vetëm atë), nuk meriton t’i përcillet gjatë publikut zjarri, shkatërrimi, dhuna policore, përdorja e gazit lotsjellës, e ujit me presion, e shkopinjve të gomës… Transmetimet filmike janë të shkurtëra, sporadike, dhe në ditët e fundit mungojnë thuajse fare në ekran! Të shtunën e shkuar, në kulmin e rrëmujës në Paris, mediat kryesore informative europiane parapëlqyen të transmetojnë tjetër gjë!

Fshehja e së vërtetës, shpërfillja e saj, nuk vjen sidoqoftë në ndihmë. Kemi të bëjmë me krizë sistemi, me krizë të demokracisë liberale, me krizë përfaqësimi. Është kriza e një sistemi të bazuar tërësisht në materialen.

Kjo krizë e ka vënë me shpatulla pas muri dhe qeverinë shqiptare. Sa mbyllet një vrimë, hapet tjetra, sa i vihet kapaku një skandali, shpërthen tjetri. Një protestë studentësh e ka tensionuar vendin prej ditësh, dhe nëse asaj nuk i jepet shpejt zgjidhje, fati i së nesërmes nuk dihet. Por askush nuk garanton se marrja zgjidhje e kërkesave të studentëve do ta qetësojë situatën. Kjo protestë e ka bërë “dëmin”, e ka hequr frikën. Njëkohësisht, u ka dhënë një dorë, u ka dhënë zemër, pritësve prapa dere për pushtetin.

Kryeministri i ka kundër të gjithë. Kundër tij është koha e zhvillimit të protestës, kundër tij është shembulli i dhënë nga studentët, kundër i ka ata që nuk e honepsin pushtetin e tij, kundër i ka njerëzit me të cilët ka zgjedhur të qeverisë, gjer te nëpunësi më i thjeshtë i administratës, sepse reformat e shkruara në letër deformohen, më e pakta, në zbatimin e tyre, kundër e ka kazanin…, të trimëruar aq sa nuk druhen dhe t’i thonë, “mos ma trash zërin”, kundër i ka ata që nuk e duan reformën e gjyqësorit, kundër i ka ata që nuk duan të mbyllen lokalet e kumarit, kundër i ka hienat e pushtetit, kundër e ka veten, të paaftë për t’u treguar sadopak e përkorë. Kundër e ka vetë sistemin!

Te sheshi, te sheshi, këlthasin të ngazëllyerit me idenë se këto mund të jenë ditët e fundit të kryeministrit në pushtet. Te sheshi, te sheshi, fërkojnë duart të pazotë për ta marrë pushtetin ndryshe, njerëz pa asnjë gjurmë tjetër në gati tridhjetë vite veç dështimit të tyre dhe aftësisë për të ndezur zjarre, apo parti si gra bishtdredhura që sa herë u teket e ndryshojnë burrin e radhës të patur në krah.

E tëra kjo premton veç amulli, statukuo, premton kalim të pushtetit nga ca duar në duar të tjera. Asgjë më shumë! As për studentët, meqë janë sot në qendër të vëmendjes, as për ndokënd tjetër. Sepse pushteti nesër te tjetërkush nuk nënkupton ikje të këtyre politikanëve dhe ardhje të një elite tjetër politike të moralshme. Me ikjen e kryeministrit nuk do të ikin matrapazët, maskarenjtë, hajdutët, të paaftët; ata dinë ta gjejnë rrugën e tyre, dinë të mbijetojnë, dhe për më keq, janë shumë, goxha shumë.

Ngaqë e gjitha është krizë e zhveshjes së njeriut nga brenda dhe e veshjes së tij nga jashtë, është krizë e botëkuptimit të kohës. Është kriza e ideologjisë që e bën njeriun të vrapojë drejt përmbushjes materiale, që e bën atë më të pangopur sa më shumë që ka, që e bën më të pamoralshëm mes një zbrazëtie morale, që ia heq turpin. Është kriza e përpjekjes së gjatë për t’ia kthyer njeriut brendinë në zgavër, për ta zëvendësuar udhërrëfimin e vërtetë të tij me lloj-lloj paçavuresh filozofike. Kështu, ky sistem nuk premton më shumë, edhe këtu, edhe me ikjen e këtij kryeministri.

Thirrja për te sheshi nuk të çon asgjëkundi tjetër, veçse në iluzion! /tesheshi.com/   

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re