Nga Elton Çela

Muaji nëntor është cilësuar përherë një muaj i shenjtë për shqiptarët për shkak të datave të rëndësishme historike kombëtare, të cilat lidhen me këtë muaj. Nga ngritja për të parën herë të flamurit tonë dykrenar me shkabën e zezë në fushë të kuqe nga Skënderbeu në kalanë e Krujës në vitin 1443. I njëjti flamur që u ngrit sërish 469 vitë më pas nga Ismail Qemali, si kryetar i parë i shtetit shqiptar në vitin 1912 në Vlorë. Mbajtja e Kongresit të Manastirit, shpallja e UÇK-së dhe të tjera ngjarje janë të lidhura me këtë muaj.
Edhe Berati ndër shkekujt e historisë shqiptare ka pasur rolin e vet të rëndësishëm dhe veçanërisht në aktin e pavarësisë. Nisur nga kjo po bëj një shkrim modest për hir të kësaj vepre.
Berati qysh në fillesat e banimit të këtyre trojeve ka qënë në vazhdimësi një qendër e rëndësishme qytetërimi, zhvillimi, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore. Por rol të rëndësisë së dorës së parë mori më së shumti gjatë pushtimit osman. Kjo nisur edhe nga dokumentat e gjetura, të cilat faktojnë shumë prej këtyre akteve. Gjithnjë nën Perandorinë Osmane është cilësuar një qendër me vlera tregtare e zejtare por edhe politike, si sanxhak, pashallëk dhe më vonë prefekturë.
Por jo vetëm kjo pasi Berati u dallua edhe si një qendër kryengritëse duke treguar një kontribut shumëvjeçar në krijimin e shtetit shqiptar. Kryengritja e parë ndaj reformave të Tanzimatit ndodhi në Berat, kryengritja e drejtuar e nga Tafil Buzi në vitin 1834 u bë fillëse për vazhdimin e të tilla kryengritjeve edhe në treva të tjera.
Pikërisht kjo periudhë shënon edhe fillimin e Rilindjes Kombëtare ku edhe Berati kishte përfaqësuesit e vet, sin ë luftën e penës edhe të pushkës. Madje dy figura të Lëvizjes Kombëtare, Ismail Bej Vlora(gjyshi i Ismail Qemalit) dhe Iljas Poda, të cilët kishin lidhur edhe krushqi mes tyre zgjodhën Beratin në vitin 1828 për të mbajtur një kuvend, ku për herë të parë shprehej hapur kërkesa për Shqipëri të pavarur kur edhe elita shqiptare dukshëm po ndahej nga ajo osmane.
Po ashtu roli i Beratit, si një ndër prefekturat më të mëdha në vend u evidentua edhe në periudhën më të nxehtë të kësaj lëvizje në vitet 1910-1912. Një ndër kuvendet më të rëndësishme të kësaj periudhe ishte edhe ai i Sinjës ku mbështetej Memorandumi i Gërçës dhe kërkesa për pavarësi. Ismail Qemali njeriu simbol i ngritjes së flamurit dhe kreu i parë i shtetit shqiptar ishte deputet i kësaj prefekture. Madje në Berat ai kishte një nga miqtë dhe aleatët e tij më të afërt, Aziz Pashë Vrioni. Ishte pikërisht Aziz pasha, i cili e strehoj në hotelin e tij në Durrës dhe ndihmoj me forcë të armatosur shoqërimin e tij drejt Vlorës pas ardhjes nga Trieste.
Ndërsa në Kuvendin e Vlorës, Berati u përfaqësua me 6 anëtar dhe firmëtar të pavarësisë dhe bashkë me Korçën ishin krahinat dhe prefekturat me më shumë përfaqësues. Me të ardhur lajmi i Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në pasditen e 28 nëntorit në një miting të zhvilluar në Berat u ngrit flamuri dhe Berati u shpall pjesë e shtetit të ri shqiptar.
Firmëtarët e Beratit janë, si më poshtë:
Jorgji Karbunara(Bab Dud Karbunara) (1842-1917)
Lindi në Berat dhe më pas shërbeu si mësues i gjuhës shqipe duke qënë një ndër bashkëpunëtorët e Kostandin Kristoforidhit. Për atdhetarizmin e treguar, truqit i dogjën shtëpinë. Ndihmoi në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Ndërkohë më tej ai vazhdoi studimet e larta në Itali. Kur u kthye në Shqipëri iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe në Berat dhe në Shqipëri. Për punën e bërë ai u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës. Ai firmosi aktin me siglën “J.Karbunara”. U zgjodh anëtar i Pleqësisë dhe më vonë pati përplasje me mercenarët e Esat Pashë Toptanit. Vdiq në Berat në vitin 1917 pas shumë mundimesh në vitet e fundit të jetës.

Iljas Vrioni (1882-1932)
I biri i nëkryetarit të Lidhjes Shqiptare të Prizreni, Mehmet Ali Pashë Vrioni dhe babai i përkthyesit Jusuf Vrioni. Ai nënshkroi aktin e Pavarsisë me siglën “Ilias Vrioni”. Ai ka shërbyer tre herë si kryeministër dhe disa herë të tjera si ministër në qeveritë shqiptare. Po ashtu ka qënë për një kohë të gjatë Deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe në vitet 1909 – 1920 Kryetar i Bashkisë Berat. Cilësohet  edhe si një  përfaqësues i denjë i familjes së madhe bejlere por edhe patriotike të Vrionasve të Beratit. Po ashtu ai ishte kryetar i delegacionit të Beratit në Kongresin e Lushnjes. Në vitet ’20 Republika Franceze i dha urdhërin “Grand Officier de la Legion d’Honneur. Vdiq në Paris dhe trupi i tij u varros në Shqipëri. Ndërsa në vitin 1946 komunistët i zhvarrosën eshtrat e tij dhe i hodhën në lumin Osum.
Dhimitër Tutulani(Berati) (1875-1937)
Lindi në Berat. Përfundoi gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe vazhdoi studimet e larta për jurist në Athinë. Më pas u rikthye sërish në Berat duke ndihmuar Lëvizjen Kombëtare. Firmosi aktin e Pavarsisë me siglën “Dh.Tout”. në dhjetor të 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe rreth 2 vite më pas në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1924 u zgjodh kryetar i Bashkisë Berat. Ndërkohë dalloi si një ndër përkrahësit e politikës së Nolit dhe mori pjesë në formimin e Kishës Autoqefale Shqiptare e dalë nga Kongresi i Beratit, më 1922. Vdiq në Berat dhe në testamentin e tij shënonte se gjithë pasurinë e tij e linte për qytetin e tij, Beratin për rrugë, shkolla, mirëqënie etj.
Ferit Vokopola (1887-1969)
Lindi në fshatin Vokopolë në Berat. Emigroi drejt Stambollit ku edhe vazhdoi studimet. U kthye në Shqipëri dhe mori pjesë në Kuvendin e Vlorës si delegat i Lushnjes. Firmosi aktin e Pavarsisë me siglën “M.Ferit Vokopola”. Në këtë kohë babai i tij ishte prefekti i Vlorës. Ishte një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjes dhe ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës. Më vonë iu përkushtua mësimeve fetare dhe përkthimit të Kur’anit. Në kohën e monarkisë mori për disa kohë postin e Ministrit të Bujqësisë. Dalloi për librat dhe dorëshkrimet e tij kryesisht me karakter fetar. Vdiq në Durrës më 1969.
Qemal Mullaj (1881-1966)
Lindi në Berat. Studimet e larta i vazhdoi në  Stamboll për Gjeografi. Më pas u kthye në Shqipëri duke propaganduar lëvizjet antiosmane dhe predikonte lirinë e atdheut. Ishte delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës dhe nënshkroi aktin me siglën “Qem.Mullaj”.  Ai u bë pjesë e Lëvizjes së Qershorit, si përkrahës i Nolit por pas rënies së kësaj qeverie ai shkoj në emigrim. Mendohet se ai ka qënë një ndër organizatorët e atentateve ndaj Ahmet Zogut. Pas disa emigrimeve jashtë vendit ai u rikthye sërish në Shqipëri  dhe vitet e fundit të jetës i kaloi i pashqetësuar në Shqipëri. Madje ai u nderua me urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit I”. Vdiq në Tiranë.
Xhelal Koprëncka(?-1919)
Lindi në Skrapar. U dallua si veprimtar i luftës për çlirim kombëtar duke qënë pjesë e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Ushtroj veprimtarinë e tij patriotike në Korçë e Manastir duke treguar ineteres për shkollën shqipe të Korçës. Ishte pjesë e Kuvendit të Vlorës si delegat i Skraparit dhe firmosi aktin e Pavarsisë me siglën “Xhelal Ko”. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ndërsa një vit më pas u vra pabesisht në një atentat nga ku dhe vdiq.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re