Ju rrëfej 10 sekondat e vdekjes së aktorit Aleko Prodani

Nga Vepror Hasani

 

Ishte e martë ajo ditë, ora 19.30, kur u nda nga jeta gjiganti i skenës së humorit, Aleko Prodani. Vdekja ndodhi krejt papritur, gjatë kohës që po bëheshin provat gjenerale të komedisë “Tre gra për një burrë” të komediografit të njohur Italian Dario Fo. Ndarja nga jeta e aktorit të talentuar u përjetua me dhimbje nga spektatorët e shumtë që ishin duke ndjekur komedinë, ku roli kryesor luhej nga vetë Prodani, aktori më i dashur i tyre.

Prodani vdiq para syve të spektatorit, 30 minuta më pas nga fillimi shfaqjes, kur gjithë qytetarët e Korçës po ndiqnin me vëmendje të jashtëzakonshme Gjithkush e vuri re që Aleko Prodani po bënte të pamundurën për të mos ndërprerë gëzimin e spektatorëve, por vdekja e pamëshirshme ia doli mbanë; e ndau nga jeta. Rolet e tij mbetën të pavdekshme, të gdhendura në kujtesën e gjithë shqiptarëve.

Aktorët e ndodhur në skenë dhe spektatorët e qytetit të Korçës bënë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën e aktorit të dashur të tyre. por sipas mjekëve të spitalit, goditja në zemrën e tij prej infarktit kishte qenë mjaft e fortë dhe e menjëhershme. Nuk i la asnjë mundësi tjetër për t’i ardhur në ndihmë njeriut të adhuruar prej spektatorit të tij. Vdekja qe e menjëhershme. Nuk zgjati më shumë se 10 sekonda.

Dhimbja e kolegëve e familjarëve, e të afërmve dhe e të njohurve të tij të shumtë, nuk pati të përshkruar. Mjaftuan vetëm 10 sekonda ankthi dhe tmerri që qyteti i Korçës, të përjetonte përhapjen e lajmit të hidhur. Ankthi kaloi edhe kufijtë e vendit. Të nesërmen, në orën 17.00, Aleko Prodani u përcoll në banesën e tij të fundit. Kortezhi i nderimeve dhe pjesëmarrësit nuk pati të mbaruar.

 

10 sekondat e fundit të jetës së tij

Gjiganti i humorit, Aleko Prodani hodhi vështrimin mbi sallën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, e cila ishte mbushur nga qytetarët e tij dhe vuri re me kënaqësi se të gjithë ishin duke qeshur me të madhe. Ai sapo kishte luajtur një episod kërcimi në skenë, çka spektatorët e shumtë e pëlqyen tej mase. Kështu i kishte ndodhur gjatë gjithë jetës së tij aktoriale. Kjo e bëri të ndihej mirë, por vetëm ai po e kuptonte gjithnjë e më shumë se po ndahej nga jeta përgjithmonë.

Lodhja i pushtoi gjymtyrët. Një ndjesi të tillë nuk e kishte provuar kurrë më parë. Pas kërcimit, u ul në stol, jo se donte të shprehte lodhjen, ishte vazhdimi i lojës së tij në rolin e Aldos tek komedia “Tre burra për një grua” të komediografit Italian Dario Fo, por frymëmarrja e tij po bëhej gjithnjë e më e vështirë. “Ndoshta po vdes”, mendoi dhe përsëri i mbeti vështrimi mbi spektatorin.

Aty ishte edhe bashkëshortja e tij, Vjollca dhe nipçja. “Ka menduar se po vdiste, thotë aktori Petrika Riza, sepse pak më parë më kishte thënë: “Ndihem shumë i lodhur, më duket se nuk do ta përballoj dot. Po më merret fryma. Jam bërë qull në djersë… s’ jam mirë…” Kjo bisedë ishte bërë tek gardëroba, kur kolosi i humorit po ndërronte kostumin, pasi atë çast i duhej të dilte në skenë me një kostum tjetër. Dhe teksa fliste vijonte të dhuronte humor të këndshëm. Por, i ulur në stol po ndjente fundin e jetës së tij.

Zemra po i rrihte me forcë. Ishte gati t’i thoshte spektatorit “lamtumirë. Tashmë më duhet të prehem, se jam lodhur mjaft”, por askush nuk do ta besonte. Edhe Petrika Riza të njëjtën gjë thotë: “Nuk e besova se ai kishte qenë në një gjendje aq të rënduar. Nuk do ta besonte askush”. Plastika dhe ekspresiviteti i fytyrës së tij fshihnin çdo lloj trishtimi.“Çlodhu, i tha Riza, pastaj vazhdojmë sërish”, por Prodani kishte hyrë në skenë edhe pse nuk ndihej mirë. Salla kishte shpërthyer nga të qeshurat, edhe pse ai ende nuk kishte hedhur asnjë batutë. Ishin provat gjenerale dhe me sa duket aktori i madh i Korçës nuk donte të ndërpriste të qeshurat e qytetarëve me vonesat e tij.

 

Kërcim me vdekjen

Kishte nisur kërcimin në skenë, një kërcim prej mjeshtri, me mjaft finesë dhe humor. Dhe këtë po e bënte në çastet e fundit të jetës së tij, kur vetë ai po e kuptonte gjithnjë e më shumë se vdekja po kërkonte me ngulm ta rrëmbente dhunshëm nga skena. “Atë çast ai po kërcente mbi vdekjen, thotë një nga aktorët më të vjetër të Korçës, Koço Qëndro. Vdekja ishte e pafuqishme për të rrëmbyer Alekon dhe emrin e tij. Ai e kishte sfiduar vdekjen me lojën e tij aktoriale, me kërcimin, me këngën, me batutat, me kitarën me të cilën dinte të luante aq bukur dhe me plastikën e tij.

E kishte sfiduar vdekjen si regjisor i estradës, si aktor i komedisë dhe i roleve në kinematografi. Askush nuk mund të thotë sa është numri i roleve të tij në skenë. “Janë me qindra, thotë Qëndro. Vetëm në një premierë të estradës ai shfaqej së paku me 5 role, po gjithë jeta e tij, pa numëruar rolet në komedi dhe filma. I tillë, i paarritshëm kishte qenë edhe si njeri,edhe si prind dhe si bashkëshort. Korrekt me të gjithë, korrekt me profesionin e tij, të cilin e dashuroi deri në vdekje Prodani po përjetonte sekondat e fundit të jetës së tij.

Me të përfunduar kërcimi, u ul në stol, ndiqte me vëmendje kolegët e tij. Vetëm ata i dinin fjalët e Alekos që u kishte thënë: “Nuk ndihem mirë…,” por ndoshta edhe bashkëshortja e tij dhe nipçja që po e ndiqnin me vëmendje. Spektatori priste daljen tjetër të Prodanit të madh, që përsëri të hynin në lojën e të qeshurave. Prisnin të papriturat prodaniane, ndoshta të papërsëritshme më në skenën e teatrit korçar. Skenës së teatrit do t’i mungojë gjatë një aktor si Aleko Prodani, shprehet Koço Qëndro, por këtë e thotë çdo qytetar i Korçës, madje çdo aktor që luan në skenat shqiptare.

Gjatë gjithë ditës nuk pushuan telefonatat nga aktorët e vendit, madje edhe nga shtetet fqinj, por dhe më larg se kaq. Lajmi i vdekjes së aktorit kishte kaluar kufijtë. Lajmi i pabesueshëm kishte mbërritur edhe në Itali, tek i biri, Albani, i cili kishte vite që jetonte atje; aktor profesionist edhe ai. Në teatrin e Korçës, kishte punuar gati dy vjet.

 

Nuk e dëshiroj vdekjen në sytë e spektatorëve

Aleko Prodani, fill pas kërcimit kishte mbetur i ulur në stol. “Nuk e dëshiroj vdekjen në sytë e spektatorit”, tha me vete aktori i lindur i humorit. “Ka menduar kështu, vijon aktori Petrika Riza, sepse atë çast, që ai ndjeu se po ndahej nga jeta, bëri përpjekjen e fundit për t’u larguar nga skena. Ishte një përpjekje e mundimshme, sepse nuk po arrinte të ngrihej nga stoli.

Prodani kishte një respekt të jashtëzakonshëm për spektatorin dhe gjithë përpjekjet e tij të tejskajshme për të dalë nga skena, nuk ishin gjë tjetër veçse një nderim për të. Nuk donte ta shihnin aty, të vdekur në skenë. Ai donte të delte, t’i linte qytetarët e tij mes të qeshurave. Kjo kishte qenë ëndrra e tij e vetme.

Atë çast salla kishte ngrirë, nuk po arrinin të kuptonin nëse ai ishte brenda rolit të komedisë, apo po bënte diçka tjetër, një lëvizje të rreme, siç bënte shpesh me improvizimet e tij që nuk mbaronin kurrë deri në shfaqjen e fundit. Por, në të vërtetë ai po përpiqej të ngrihej e të largohej nga skena pa e kuptuar askush se ai po shkonte, madje duke u munduar të fshihte vdekjen edhe nga sytë e bashkëshortes dhe të nipçes që ishin aty. Në gjithë jetën e tij ishte përpjekur të sillte të qeshura.

 

Kolegët

Kështu kishte bërë që kur kishte nisur rrugën e humorit, tregojnë më tej kolegët e tij Ishte talent i lindur. Në fillim ishte aktivizuar më grupet amatore, pastaj me estradën e ushtarit dhe me pas në estradën e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Shumë shpejt do ta thërriste në skenë komedia me role të plota e të vështira por gjithnjë të suksesshme.

Pas kësaj, skena nuk do të kuptohej më pa Aleko Prodanin. Gjatë viteve të fundit, tregon herë Petrika Riza, herë Koço Qëndro, herë Dhimitër Orgocka dhe herë kolegët e tij të tjerë, kishte bërë një bum të vërtetë artistik. Figura e tij artistike po shfaqej gjithnjë e më e kompletuar dhe me surpriza, me të papritura të shumta, por gjithnjë me një përkushtim profesional të habitshëm.

Ndoshta ishte kjo arsyeja që ai edhe pse nuk ndihej mirë kishte qenë përsëri aty në skenë për të luajtur komedinë e Dario Fo. Askush nuk do ta besonte që ai do të ndahej nga skena. As ai vetë nuk dëshironte të ndodhte kështu. Përpjekja e fundit për t’u ngritur nga stoli kishte qenë e pamundur.

 

Më falni, nëse u trishtoj me vdekjen time

Arriti të ngrihej në këmbë, tregojnë kolegët dhe kur deshi të bënte hapin e parë për të dalë nga skena, trupi i tij nisi të lëshohej në pafuqishmërinë e tij fizike. Po binte ngadalë deri sa mbeti aty, mes skenës, përballë spektatorit dhe bashkëshortes së vet, e cila kishte luajtur mjaft role, por tashmë kishte dalë në pension. Kishte ardhur aty për të ndjekur të shoqin e saj me të njëjtën ëndje, ashtu si ditën e parë kur ishin njohur. Aleko Prodani kishte mbetur mes skenës, me vështrimin hedhur mbi sallë, sikur donte t’u thoshte të gjithave: “Më falni, që nuk munda të dal dot nga skena, nuk doja t’u prishja kënaqësinë.

Më falni që nuk u thashë dot as lamtumirë”. Ndërsa salla e teatrit Andon Zako Çajupi kishte ngrirë. Askush prej të pranishmëve nuk donte të besonte se Prodani nuk jetonte më. E kishin ndjekur nga afër gjithë jetën e tij, kishin përcjellë me të njëjtën kënaqësi rolet e tij në komeditë: “Arapi me trëndafila”, “Hipokritët”, “Hajduti shkon në drejtim të paditur”, “O deputet o gënjeshtar” “Kur s’kishte melodi” e në shumë vepra të tjera të humorit. Prodani nuk doli dot nga skena, por askush nuk kishte menduar ndonjëherë se ai do të braktiste skenën.

Ndërsa ndodhej i shtrirë në skenën e teatrit, u dëgjuan zëra të frikshëm Vdiq…! Jo, ai është në rol. Aleko është talent Por thirrjet…Aleko çohu…Aleko… nga ana e kolegëve të tij, të cilët ishin vënë në dijeni prej tij se ai atë mbrëmje nuk ndihej mirë, dhe se ishte i lodhur, mbuloi mjediset e teatrit me tisin e zi të një parandjenje të keqe. Në të vërtetë Aleko Prodani kishte kohë që ndihej i lodhur. Përjetimi i emocioneve të personazheve “kishin grabitur” zemrën e tij të ndjeshme si prej fëmije. Pas zërit të kolegëve do të dëgjoheshin thirrjet e njerëzve të pranishëm në sallë. Aleko…!

Por gjiganti i humorit ishte shuar duke luajtur në skenë. Zemra e tij tashmë gjendet në jetën e gjithë personazheve që ka luajtur në gjithë jetën e tij. Shprehjet e tij do të mbeten mes të gjithëve. “Ah po e kam thënë unë, t’i do të më vdesësh mua!”, është një nga thëniet e tej në komedinë “Dy herë mat” si për të treguar se ai do të sakrifikohej për rolet e tij të humorit.

 

Një vdekje e pabesueshme

Bëmë gjithçka për ta zgjuar nga gjumi i thellë i atij çasti, tregon Petrika Riza, por me sa duket goditja kishte qenë e fuqishme. Nuk na la asnjë mundësi për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Mbaroi në skenë. E çuam në spital, por gjithçka kishte marrë fund. Mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Dhe e gjitha kjo ndodhi në provat gjenerale, si për të treguar se Aleko Prodani ishte gjeneral i skenës.

Disa nga rolet e tij më të spikatura kanë qenë te “Disko Harpagoni” e K. Qëndros, “Kohë pa emër” e R. Pulahës, “Hipokritët” e Papadhopulos, “Arapi më trëndafila” e S. Demollit, “Fryrja” e T. Laços etj.

 

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re