Suela është veçse 10 vjeçe dhe në gushtin e vitit të kaluar u përball me vdekjen e të atit. Ajo me dy motrat e të vëllanë fare të vogël, sot jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira në rrethinat e Tiranës.

Suela mbushet në lot kur kujton babain. Është 10 vjeçe, por arrin të flasë sikur të ishte 20 vjeçare…

“Unë quhem Suela Vladi, jam 10 vjeçe. Jetoj  me mamin, motrat e vëllain. Vijmë nga Dibra… asnjëherë nuk e mendoja se babi… kurrë nuk më besohet se ka vdekur, nuk e mendoja kurrë se do të vdiste.

Ai moment ishte shumë shumë i keq. Shumë më dhimbset, ai ka qenë gjysma e jetës sime.

Kur (vëllai vogël) sheh fotografitë, qan shumë, nuk pushon. Pa babin është një jetë shumë e keq. Do doja të ishim të gjithë bashkë, të mos kishim asgjë, të flinim në rrugë, vetëm të kisha babin.

Kemi mbetur vetëm, me mamin. Mami nuk i përjeton dot dhimbjet e saj. Jeta ime është shumë e keqe kur shikoj mamin duke qarë, kur shikoj motrat e vëllain duke qarë. Nuk dimë se çfarë t’i themi, se mami po bën gjithçka për ne.”

E pëpos zbrazëtisë që la vdekja e babait, Suela rrëfen për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se jetojnë në varfëri. Varfëria është aq e madhe, saqë kjo 10 vjeçare tregon se i vjen turp t’i kërkojë nënës bukë, duke e ditur e kuptuar sesa keq janë ekonomikisht.

“Ditën e parë kemi shkuar vetë në shkollë, me motrën dorë për dore, se mami duhet të mbante vëllain e vogël e motrën. U ndjeva shumë keq kur pashë nxënësit e tjerë me prindërit. Shoqet e mia kanë prindërit që ua plotësojnë dëshirat, vetëm ne… as krevat nuk kemi. Flemë në divanë, kur zgjohemi në mëngjes na dhemb trupi, shpina, divanët janë të prishur.

Më erdhi turp kur i kërkoja mamit bukë… e dija që ishte e vështirë për të. Ajo nuk na ushqen dot, nuk di ku të shkojë ajo, të na ushqejë apo lajë qiranë. Po të ishte babi gjallë do të kishim një shtëpi, do të ishim ushqyer.”-rrëfen mes lotëve Suela.

Suela ka vetëm dy dëshira. Ëndrrat e saj ia rrëmbeu varfëria e pamundësia.

“Dëshirat e mia më të mëdha…? Të kem një shtëpi e të mos vdesim për ushqim, të mos vdesim për bukë…”-thotë 10 vjeçarja.

Në orën e pushimit të gjithë hanë… ne shohim

Daniela

E në të vërtetë është e dhimbshme të dëgjosh nga një fëmijë, se nuk ka mundësi të ushqehet. Motra e Suelës, Daniela, tregon një moment që të pikëllon.

“Babi më ka vdekur dhe… ne, ne nuk kemi. Shpesh ëndërroj që ta pres të vijë aty tek dera e shtëpisë, të më përqafojë…mami qan, më vjen shumë keq për të se ka përjetesa të vështira.

“Në orën e pushimit në shkollë të gjithë dalin dhe e hanë ushqim… dhe ne duke i parë ata”-thotë e mitura.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re