Nga: Alban Gorishti

(Reflektim i dyanshëm midis protestës për Palestinën dhe asaj për mbrojtjen e femrave kundër përdhunimeve)

Si zakonisht përgjatë blerjeve rastis që dyqanxhiu të të kthejë si resto e shumës se dhënë një sasi tejet të vogla lekësh, sot me rastisi që shuma e kthyer të ishte kjo 100 lekshe ndërsa unë për disa momente të shkurtra mendova ta marr apo jo pasi ajo në vetvete nuk është asgjë e kushtueshme. Por gjithsesi në fund mendova se nëse bëhen disa të tilla atëherë shuma e përbashkët e tyre përbën një vlerë të caktuar ndaj më pas e morra. Po ashtu mendova se dikur në fillimet e demokracisë kjo 100 lekshe vlente shumë dhe me të blije shumëçka. Por zhvlerësimet e herë pas hershme morale dhe prioritetet e cunguara sociale janë bërë shkaku kryesor në asgjësimin e vlerave dhe krijimin e konceptit se morali është diçka që mbrohet edhe nëpërmjet imoralitetit. Po ashtu mendova se kur një lypës të vjen e të kërkon diçka nuk e nis me shuma me të mëdha sesa kjo 100 lekshe, ai i njeh mirë prioritetet ndaj e di që kërkimi i një shume të madhe ka për ta ngatërruar prioritetin nëpërmjet të cilit ai shpreson ta arrijë të shumtën nëpërmjet  paketës, nëse ai do të kërkonte menjëherë përshembull një 5000 lekshe atëherë kjo në thelb do të konsiderohej arritje e moralit nëpërmjet diçkaje “imorale” rrjedhimisht nuk do të funksiononte .

Ngjashëm morra shkas nga ngjarjet e fundit (protestat për Palestinën dhe për moralin e cunguar shoqëror) kur pashë se në organizimin e fundit në mbrojtje te femrave nga përdhunimet ishin përzjerë të moralshëm dhe të pamoralshëm, simbolika të rregullta dhe lakuriqësi  moralisht të pajustifikueshme.

Kështu mu kujtua lobimi i disa elitave fetarë të vendit tonë për të mbledhur dhe organizuar manifestime pro çështjes Palestineze por nga ana tjetër lënia e fetarëve të shkonin në protesta me karakter feminist pa organizuar diçka në lidhje me orientimin e tyre ashtu që mos të ngatërrohej e kalbura me të njomën.

Çështja Palestineze është diçka që na prek zemrat dhe mendjet por ajo i ka shumë mbrojtës anëkënd botës, ndërsa mbrojtja e vajzave të reja nga qëllimet epsharake të makinerisë maskiliste të këtij vendi është diçka që mundet ta bëjmë vetëm ne dhe askush tjetër, ndaj për këtë në këndvështrimin tim kjo kishte prioritet ndaj tentativave (të ligjshme) për të organizuar protesta me të cilat gjithë bota u solidarizua. Po me vajzat, motrat, nënat tona kush u solidarizua? Një lakuriqësi aspak morale, apo disa karaktere të shpërfytyruar moralisht. Nëse ne nuk e mbrojmë moralin e shoqërisë tonë kush mundet ta bëjë?

Me siguri ajo lakuriqësi ja shton epshin “moralit” të cunguar, ndërsa ato karaktere aspak morale që dolën dje në protestë ia forcojnë bindjet seksiste një pjese të mirë të shoqërisë tonë se çrregullimet morale janë pjesë e justifikueshme e disave ndërsa shoqëria nuk mban asnjë përgjegjësi për ato që ndodhin në të.

Por çrregullimi prioritar i disa elitave tona fetare me shqetësoi individualisht me tepër sesa një çështje larg nesh si ajo Palestineze, kur nuk ke bukë për shtepi është haram për xhami, thoshte gjyshja ime. Kështu është haram nëse ne moralisht vlerësojme më tepër kauza në distancë pa rregulluar ato afër nesh. Prioritetet janë fenomen Kuranor ndaj konsiderohen si ligj përmbi ligjësitë ndaj mosrespektimi i tyre do të thotë prishje dhe kaos kulturor. Ndaj edhe zhvlerësimin e kësaj çështje tek elitat tona e krahasova me zhvlerësimin në kohë të asaj 100 lekshes.

Në fund të fundit a nuk janë politikat sociale apo kulturore të ndryshueshme sipas rrethanave dhe kohëve. Ibn Kajim thotë: Politika sheriatike ndryshon në varsi të interesit publik dhe në varsi të kohës” Turuku el hukmije fq 47. Ndaj urtësia e elitave qëndron pikërisht në konsiderimin e duhur të këtyre politikave prioritare. E nëse nuk ndodh atëherë nesër edhe 10.000-shja ka për tu dukur si 100 lekshja e sotme.

Po u shpjegoj së fundi çështjen e prioriteteve me një shembull nga jeta e te dashmit tonë dhe të dashmit të Perëndisë, Muhamedit alejhi selam. Hadithin ku ai i thotë Aishes se sikur populli yt mos të ishte në fillimet e fesë atëherë do ta prishte Qaben për ta rindërtuar tek themelet e Ibrahimit “, por për atë kohë populli arab ishte akoma i ri në fe, ndërsa në kohën e Abdullah ibn Zubejrit ishin pjekur kushtet dhe ata që dikur mundet të konsideroheshin si të ri në fe ishin tashmë të konsoliduar në të , ndaj edhe ibn Zubejri e rindërtoi Qaben në themelet e Ibrahimit, për këtë Ibn Halduni tregon: Kur ibn Zubejri u shpall Kalif ai e rindërtoi Qaben në themelet e Ibrahimit, me ç’rast zbuloi themelet e Ibrahimit dhe i tuboi fisnikët që ti shohin ato, e kështu ai e ndërtoi atë tamam ashtu sikurse kishte përshkruar profeti alejhi selam duke shtuar dy dyer dhe duke e ulur ato përtokë. Po ashtu shtrojen dhe bazën e saj e bëri prej mermeri ndërsa pllakat e dyerve i shkriu nga ari. Pasi ibn Zubejri u mposht mga Haxhaxhi ky i fundit i sulmoi muret e Qabes duke i çarë ato me katapulte. E kështu ai pyeti Abdulmelikun, prijësin e besimtarëve, rreth këtyre ndryshimeve që kishtë bëre ibn Zubejri. Kështu ai urdhëroi ta prishë atë dhe ta ndërtojë në themelet e kurejshve (në të cilat ndodhet dhe sot) por thuhet se ai – Abdukmeliku ishte penduar për këtë kur kuptoi vërtetësinë e hadithit të Aishes, ndërsa ai pati thënë: Do kisha dëshiruar sikur t’ia kisha lënë Ebu Hubejbit(ibn Zubejrit) atë që kishte ndërmarrë lidhur me çështjen e Qabes dhe rindërtimit të saj ” Mukadimeh 2/20

Ndaj jepini” Qabes” atë që i takon, por edhe prioriteteve profetike vendin e vet, prioritetet janë njerëzore ndaj si të tilla shpesh nderi dhe jeta e besimtarëve janë më të shtrenjta se Qabja, ndërsa humbja e tyre me e rrezikshme sesa shkatërrimi i Qabes.

Por mos e harroni këshillën Kuranore: Këto janë një përkujtim qortues, e kush do, ai e zgjedh rrugën për te Zoti i vet. “Muzemil 19”

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re