26 shkurt Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Berati kur “ne kemi filluar punën nuk kishte rrugë për të ardhur”.

“Rruga nga Lushnja këtu ishte për t’u kaluar me kamion, me tank, me mjete të rënda, por nuk ishte një rrugë për t’u kaluar për të ardhur me kënaqësi. Ishte vetëm një rrugë për hall. Për hall për banorët që duhet të lëviznin dhe hall për ata që duhet të vinin”, u shpreh kryeministri Rama në një intervitë për ERTV.

Rama tha se, “gjysmë milioni vizitorë në Kalanë e Beratit qysh nga nisja e Rilindjes Urbane, është një shifër shumë domethënëse. Kemi 4 dhe thuajse 5-fishim të strukturave pritëse akomoduese. Ashtu sikundër është një tjetër shifër shumë domethënëse rritja e punësimit përmes sipërmarrjeve të vogla që janë krijuar. Vetëm në pedonalen kryesore të Beratit janë mbi 70 biznese të reja të vogla të krijuara dhe cilësore”.

Rama u shpreh se, “të gjitha këto janë para’ që konsumohen këtu nga vizitorët. Të gjitha këto janë dhoma që shtohen. Vetëm në 12-mujorin e fundit janë 350 dhoma të reja me standard 4 yje në Berat të investuara në kohë pandemie. Pra njerëzit e dinë që në momentin që ne do të dalim nga kjo situatë shtrënguese e pandemisë e ardhmja do të jetë absolutisht pozitive për të gjithë ata që investojnë këtu sidomos në tregun në zgjerim të vazhdueshëm të turizmit”.

Në lidhje me strategjinë për ta rijetëzuar Beratin, Rama theksoi se “kujtoj që kur ne morëm detyrën Berati dhe Gjirokastra rrezikonin të humbisnin mbështetjen e UNESCO-s, sepse ishin në atë listën e zezë të qendrave të trashëgimisë kulturore botërore në rrezik të lartë. Dhe ne kemi kthyer Beratin dhe Gjirokastrën përsëri në atë kategori qendrash historike të trashëgimisë kulturore botërore që e meritojnë”.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “është shumë e qartë për mua që trashëgimia, bukuria e këtij vendi, është aseti ynë më i madh dhe ne duhet ta vëmë atë në pah duke investuar dhe duke vazhduar punën. Kur vjen sot në Berat është e pamundur të bësh krahasimin me kur vije deri përpara 7 vitesh. Po nga ana tjetër, është po ashtu është e pamundur që të mos shohësh që është një punë që vazhdon. Është një punë në mes. Për këtë arsye duhet të vazhdojë puna, duhet të kryejmë punë sepse ka kaq shumë gjëra ende për të bërë. Por ndërkohë ka kaq shumë ende për të marrë mbrapsht nga këto investime sa që është e domosdoshme që puna të mos ndërpritet në mes”.

Në lidhje me mandatin e tretë, Rama tha se, “ka shumë arsye që njeriu sot të jetë i stresuar dhe përtej të tjerave ne kemi kaluar dy goditje shumë të rënda”.

“Tërmeti nuk ishte një goditje e rëndë vetëm për ata që e pësuan në kurriz dhe humbën çatinë në pak sekonda, por ishte një goditje e rëndë psikologjike për gjithë vendin, ishte një goditje e rëndë për vetë shtetin që u sfidua nga një fatkeqësi natyrore dhe që duhet të reagonte, por reagimi ishte një fjalë goje. Pastaj pandemia që sigurisht ka shtrënguar shumë hapësirat e lëvizjes, haoësirat e zhvillimit por edhe hapësirat e vetë parafytyrimit të së nesërmes. Kështu që është normale”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne nuk jemi perfekt, ne jemi njerëz, jemi shqiptarë, jemi një forcë qeverisëse që ka të mirat dhe kusuret e veta”.

“Por mandati i tretë nuk është për mua, nuk është për këtë grup njerëzish që si të thuash administrojnë këtë përgjegjësi të madhe, mandati i tretë është për të gjithë ata që duan më shumë dhe që duan që punët të mbarojnë. Rreziku i mbetjes së punëve në mes është real dhe nëse punët mbeten në mes Shqipëria kthehet shumë mbrapa. Dhe punët nuk mund t’i kryejë askush tjetër. Kjo është pak mbase, por kjo është e sigurtë”, u shpreh ai.

I pyetur pse opozita nuk mund t’i kryejë këto punë, Rama u shpreh “sepse për fat të mirë në këtë rast zgjidhja është shumë e thjeshtë, përpara ekuacionit kush është kush.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Këtu nuk ka x të panjohur. Këtu ka një grup njerëzish, apo grupe njerëzish dhe një mundësi zgjedhje mes të njohurave. Ata që sot pretendojnë se do t’i bëjnë punët që medemek ne nuk i kemi bërë, apo nuk i kemi bërë mirë, apo i kemi bërë keq, ishin ata të cilët e kishin në dorë t’i bënin punët dhe i bënë si nuk ka më keq. Më keq sesa ç’kanë bërë ata në kohën kur kishin në dorë të bënin punët, unë nuk mendoj se ka”, tha Rama.

I pyetur në lidhje me kreun e PD Basha që vjen si një alternativë që ka studiuar në perëndim, Rama tha se, “më shumë sesa studimi në perëndim “lideri i ri” ka në biografinë e tij, tramvajin e Tiranës, tramvajin Tiranë-Kamëz”.

“Dhe nga ana tjetër ajo është e njëjta, jo vetëm shtëpi, por e njëjta frymë, e njëjta familje politike, ku madje pjesa që e përfaqësonte atë në një formë më besnike ndaj traditës së vet është eliminuar dhe ku është një mish-mash i vërtetë. Natyrisht ai që ishte me këtë që është në vetvete nuk janë e njëjta gjë, ai ishte gogoli i shtëpisë, ky është kukulla e shtëpisë. Por fatkeqësisht gogoli nuk ka ikur nga shtëpia, është aty. Dhe jo vetëm gogoli nuk ka ikur nga shtëpia, por tek dera ka ardhur mamadhia. Kështu që është një kukull në duart e gogolit që është ai që dihet dhe patjetër që duke pasur dhe mamadhinë tek dera bëhet e qartë që këtu nuk bëhet fjalë për të zgjedhur një alternative, këtu bëhet fjalë për t’u kthyer mbrapa dhe për t’i rikaluar përgjegjësitë dhe punët e këtij shteti në duart e një katërsheje që me thënë të drejtën i ka pasur të gjitha mundësitë, i ka abuzuar të gjitha dhe nuk mund të meritojë dot besimin e shqiptarëve, është e pamundur”, u shpreh Rama.

Rama tha se modeli i ri në qeverisjeje ku qytetari është në qendër, “është një punë në vazhdim, është një proces në formim, është një kantier ku ka akoma shumë për të shtuar dhe për të plotësuar”.

“Është njësoj si kantieret e rindërtimit sot. Nëse sheh sot Thumanën nuk ka krahasim me atë që ishte, as përpara tërmetit, as të nesërmen e tërmetit që ishte një gropë e zezë me dhimbjen e tragjedisë dhe me gjithë ato rrënoja. Por sigurisht nëse sot thua a është tani në këtë sekondë ky një vend i jetueshëm me frymëmarrje të lehtësuar, jo sepse puna nuk ka mbaruar, duhen vënë çatitë, duhen vënë sistemet e brendshme, ndërkohë që bazat janë hedhur, infrastruktura është aty, ndriçimi është aty, muret janë ngritur”, u shpreh Rama.

Rama tha se, “mos harrojmë që ne nuk kemi pasur dy mandate të plota normale. Ne kemi pasur një mandat e gjysëm, sepse gjysma tjetër e këtij mandati ka qenë komplet anormale e jashtëzakonshme”.

Në lidhje me aksesin tek shërbimet për qytetarët, Rama tha se, “edhe këtu janë miliona e miliona shërbime, pra janë miliona ndërveprime mes qytetarëve dhe shtetit dhe zyrave të shërbimeve që janë bërë online”.

“Por ka ende akoma për të bërë në mënyrë që shteti të tërhiqet plotësisht nga kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarin dhe qytetari ta ketë shtetin në xhep dhe me një klik të mund të marri shërbimin. Pra kontakti fizik me personin x, personin y, në një sportel që sillet njëri mirë, tjetri keq, njëri shërben tjetri rrëmben, duhet të eliminohet. Dhe këtë proces duhet ta mbyllim dhe këtë mund ta mbyllim vetëm ne. Nuk mund ta mbyllin ata që e lanë stafetën me vetëm 3 shërbime online, ndërkohë që ne jemi në fazën që po përmbyllim gati 900 e kusur shërbime online. 94% e të gjitha shërbimeve që jep Republika e Shqipërisë për qytetarët do të jenë online”, theksoi ai.

Në lidhje me qasjen për mbështetjen ndaj fermerëve të kësaj zone, por edhe për agro-turizmin, Rama u shpreh se, “kjo është një zonë ku ne gjithmonë vijmë dhe të gjithë flasin për qendrën historike, flasim për qytetin”.

“Ndërkohë që kjo zonë është një zonë e bekuar nga Zoti në të gjithë hapësirën rurale. Dhe është një zonë ku hapësira rurale ka hyrë në një fazë komplet të re. Janë mbi 11 mijë subjekte, individë apo sipërmarrje që janë mbështetur drejtpërdrejtë financiarisht nga AZHBR-ja dhe ka plot sipërmarrje që janë fantastike që prodhojnë, që grumbullojnë, që eksportojnë, që krijojnë zinxhir vlere dhe që kanë nevojë për t’i çuar gjërat përpara. Dhe ne kemi nevojë që ta mbarojmë këtë pjesë të punës me ta”, tha Rama. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re