Gjatë kësaj jave pritet që të zhvillohet mbledhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ata do të mblidhen për të shqyrtuar çështjet që sipas ligjit i përkasin për kompetencë Mbledhjes së Gjyqtarëve, si dhe për të kryer veprimet e nevojshme përgatitore dhe organizative për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen që shtatë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtëtuese do zhvillojnë do vendosin edhe për procedurar që ata do ndjekin për shqyrtimin e dosjeve, të cilat nuk janë trajtuar prej më shumë se dy vitesh. Pas kësaj mbledhjeje do të përcaktohen dhe dosjet e para që do të kalojnë në seancë. Janë plot 140 dosje që 7 anëtarët e rinj te Gjykatës Kushtetuese do shqyrtojnë, por sipas informacioneve, mësohet se ata do të marrin në shqyrtim cështjet më të debatueshme dhe ato më sensitive.
Ndër çështjet kryesore për të cilët gjyqtarët e gjykatës kushtetuese do shqyrtojnë janë zgjedhjet e 30 qershorit, e ankimuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, dosja e Teatrit e ankimuar nga presidenti Meta dhe artistët, Kodi Zgjedhor i ankimuar së fundmi nga opozita parlamentare.
Gjithashtu, një tjetër temë është dhe sqarimi i kompetencave të Presidentit, i cili nuk pranoi të dekretonte emërimin e ministrit Gent Cakaj në postin e Ministrit të Jashtëm. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese do shqyrtojë edhe përplasjet mes institucioneve, çështjet e pronave apo ato që kanë të bëjnë me vetë drejtësinë.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb



