Pak ditë pas bërjes publik të largimit të Nasip Naço nga radhët e LSI-së në Berat, kjo forcë politike nuk ka humbur kohë dhe ka prezantuar ekipin që pritet të garojë në zgjedhjet e Prillit. Ka qenë Elona Guri ajo që ka postuar një foto me tre nga kandidatët e mundshëm të LSI-së në këtë qark, Ardit Çelën, drejtuesin politik të LSI për Qarkun e Beratit, doktor Blenard Nonaj dhe Silva Cakën.
Në mesazhin e Gurit nuk mungon as mesazhi për Naçon, edhe pse nuk ia përmendin emrin: Rrugën tonë të ndryshimit dhe integrimit nuk mund ta pengojnë dot as “të fortët”, as të shiturit dhe as të blerët, aq më shumë të lodhurit dhe “pleqtë” politikë pa asnjë ideal.
Postimi i plotë i Gurit:
Në Berat së bashku me Ardit Çelën, drejtuesin politik të LSI për Qarkun e Beratit, doktor Blenard Nonaj dhe Silva Cakën. Jam mes njê ekipi profesionistësh të rritur në LRI së bashku. Në LSI për të vijuar rrugën tonë për ndryshimin e Shqipërisë, për të bërë realitet aspiratën e çdo të riu, integrimin e Shqipërisë në BE.
Jemi bashkë për të bërë të mundur fitoren e madhe të 25 prillit. Fitoren e Rinisë mbi llumin politik të nënshtrimit, fitoren e idealit të një Shqipërie që është shtëpi për çdo shqiptar mbi pazaret e pista ku çdo njeri është kthyer në “mall”, i cili e ka datën e skadencës në 25 prill.
Jam e lumtur të jem me Arditin dhe Blenardin dy ish studente të shkëlqyer, profesionistë të aftë dhe menaxherë që kanë dhënë kontributin e tyre duke ndryshuar rrënjësisht institucionet ku kanë drejtuar.
Rrugën tonë të ndryshimit dhe integrimit nuk mund ta pengojnë dot as “të fortët”, as të shiturit dhe as të blerët, aq më shumë të lodhurit dhe “pleqtë” politikë pa asnjë ideal.
Jemi së bashku me çdo të ri, profesionist, grua, burrë, me çdo biznesmen të ndershëm që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Berat, në të gjithë Shqipërinë! Jemi bashkë për të bërë të mundur çlirimin e tregut nga monopolet dhe PPP, jemi bashkë për fermerët që të kenë mundësi tregu dhe prodhimet e tyre, mundi dhe djersa e tyre të kthehet në vlerë dhe jo të derdhet kanaleve dhe të kalbet fushave. Jemi bashkë për Shqipërinë!
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb



