Presidenti Ilir Meta ka kthyer në kuvend ligjin i cili pezullonte pagesën e rentës minerare për 3 vite. Në letrën e gjatë të argumentimit të kthimit të këtij ligji, kreu i shtetit analizon të gjitha ndryshimet dhe akuzon qeverinë se përmes këtyre ndryshimeve, keqpërdor pasuritë publike për të mbështetur një grup biznesmenësh.
Pasuritë e nëntokës janë pasuri publike pronë e shtetit shqiptar dhe normalisht e gjithë qytetarëve shqiptarë. Shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllimin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar, që aktualisht kanë, apo mund të pajisen me autorizimet/lejet për ta shfrytëzuar atë. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që përmes ligjit, pasuria e shqiptarëve, në këtë mënyrë keqpërdoret për t`u mbështetur një grup i ngushtë biznesesh.
Një nga argumentet e përdorura në ligj ishte dhe vështirësia financiare që po kalon ky sektor për shkak të Covid-19, por edhe këtu Meta akuzon për diferencim.
Kjo përzgjedhje lehtësuese vetëm për një sektor, e mbi të gjitha pa asnjë transparencë mbi:
numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në këtë fushë;
nivelin e të ardhurave vjetore që gjenerojnë;
kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit;
Është një tregues më shumë për trajtim favorizues të subjekteve të caktuar ekonomikë, dhe jo ndërhyrje për të lehtësuar një sektor, mes shumë sektorëve të ekonomisë që po vuajnë pasojat e pandemisë Covid-19.
Në përfundim Meta shton se dy standardet e ndryshme që synohen të aplikohen në këtë ligj, do të sillnin shkelje të parimeve të mbrojtura nga Kushtetuta, një pabarazi në trajtimin e subjekteve ekonomikë, duke favorizuar vetëm disa prej tyre lehtësisht të identifikueshëm, si dhe cenim të interesit publik.
Underground train in mine, carts in gold, silver and copper mine.