Fajin për skandalin tek “Shefqet Ndroqi” nuk e ka sanitarja, por i gjithë sistemi.

Kështu është shprehur ekspert i Partisë Demokratike për shëndetësinë Gazmend Koduzi në një bisedë me gazetarin Juli Xhokaxhi në ABC.

Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e së martës rastin në spitalin Covid 2, ku një sanitare hiqej si infermiere dhe i mori një të reje një shumë të madhe parash për t’u kujdesur për të ëmën e shtruar për shkak të koronavirusit. Por kjo e fundit fatkeqësisht ndërroi jetë.

Koduzi u shpreh se stafi infermieror tek “Shefqet Ndroqi” apo spitale të tjerë është i pamjaftueshëm për të përballur fluksin e kësaj kohe.

“Një infermiere me 30 pacientë s’ka kohë të merret me të gjithë. I afërmi ankohet, atëherë çfarë bën një i afërm jashtë, gjen mundësinë që të kujdeset siç duhet.”

Gazmend Koduzi u shpreh po ashtu, se gjesti korruptiv mbetet në ndërgjegjen e sanitares, nëse ajo nuk i ka ndarë paratë me persona të tjerë, por në këtë rast nuk ka munguar as neglizhenca e mjekëve apo infermierëve.

“Çështja është e sistemit, standarteve, kemi më pak infermier e mjekë për shtrat edhe në kohë normale. Nuk është faji i pastrueses, është faji i ambientit, asaj nuk i jepet ushqim, uji.”

Sanitarja u vu në pranga, por sipas ekspertit të PD për shëndetësinë, duhet të bëhet një auditim klinik.

Koduzi thotë se transparenca dhe informimi i familjarëve janë dy pika kyçe ku sistemi ynë ka dështuar në menaxhimin e kësaj krize.

Sipas tij, ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, është përgjegjëse për të gjithë këtë situatë dhe se duhet të japë dorëheqjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re