Bisedoi: Iliada Kovaçi

Gjaku i sigurt dhe produktet e sigurta të gjakut dhe transfuzioni i tyre janë një aspekt kritik i kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik. Ato shpëtojnë me miliona jetë dhe e përmirësojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës të shumë pacientëve për çdo ditë. Nevoja për gjak është universale, por jo edhe qasja në gjak për të gjithë ato që kanë nevojë për të.  Gazeta Shëndeti, foli me mjeken transfuziologe, Dr. Ejona Braho, lidhur me rëndësinë e dhurimit të gjakut, sigurinë që ka ky proces dhe disa këshilla pë rata që ngurojnë të paraqiten në Qendrat e Transfuzionit të Gjakut.

Doktoresha, pse është e rëndësishme të dhurojmë gjak?

Dhurimi i gjakut është një akt human, prandaj dhe është tepër i rëndësishëm duke marrë parasysh se nuk mund të gjendet në forma të tjera veç dhurimit nga njerëzit. Kontigjenti kryesor që ka nevojë për gjak janë fëmijët talasemikë por jo vetëm, janë edhe adultët që vuajnë nga sëmundja e talasemisë ose nga pacientët hematologjikë që kanë nevojë për transfuzion në mënyrë kronike dhe të vazhdueshme, pacientët që kanë pësuar aksidente ose janë të shtruar nëpër qëndra spitalore. Me dhurimin e gjakut të gjithë këto kategori të përmendura ne nuk i ndihmojmë ata vetëm me gjak por edhe me nënproduktet e tij.

A ka ngurim nga ana e familjarëve për dhurimin e gjakut?

Familjarët apo të afërmit e personave kryesisht të shtruar nëpër spitale janë të shumtë në numër që vijnë për dhurimin e gjakut duke mos hezituar në asnjë moment.

Familjarët që dhurojnë gjak për një pacient që do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje, a duhet patjetër të jenë të njëjtin grup gjaku me pacientin? Apo nuk është e rëndësishme kjo gjë?

Jo domosdoshmërisht! Nuk është e nevojshme që familjarët që vijnë të kenë grup gjaku të njëjtë me pacientin, vetëm në rastet ekstreme apo shumë të veçanta kur pacienti është grup negativ. Për shkak të mosmjaftueshmërisë duhet një i afërm i pacientit që të ndihmojë në këtë pjesë por janë raste të rralla.

Sa herë në vit këshillohet të dhurojmë gjak ?

Për meshkujt këshillohet 3-4 herë në vit ndërsa për femrat 2 herë në vit. Megjithatë edhe nëse dhuroni vetëm një herë në vit e keni kryer detyrën tuaj si qytetarë për të ndihmuar pacientët në nevojë.

Pse meshkujt këshillohet të japin më shpesh gjak sesa femrat ?

Sepse rezervat e hekurit tek meshkujt janë më të larta sesa tek femrat, gjithashtu për arsye se femrat për shkak të ciklit menstrual humbasin gjak në mënyrë të vazhdueshme çdo muaj. Për ti ruajtur këto rezerva dhe për të mos u dëmtuar shëndetin këshillohet më pak tek gjinia femërore.

Pasi dhurohet gjaku si procedohet? Çfarë ekzaminimesh bëhen para se ky gjak të përdoret për një pacient ?

Dhurimi i gjakut zgjat vetëm 10 minuta, pjesë e procedurës kjo që mund të konsiderohet si maja e ajsbergut të të gjithë punës, e gjithë pjesa e procesimit dhe testimit të gjakut vjen më pas. Në momentin që dhurohet gjaku, secili prej dhuruesve të gjakut  qofshin këta familjarë apo vullnetarë i nënshtrohen një pyetësori për tu zgjedhur apo seleksionuar  nëse janë të përshtatshëm për tu dhuruar ose jo. Bëhet vizita mjekësore, shikohen të gjithë parametrat për të parë nëse është përsëri i duhur për tu dhuruar , në bazë të peshës apo gjatësisë vendoset edhe sasia se sa duhet të dhurojë. Pra, ka një mori testimesh paraprake deri në dhurimin e gjakut. Në momentin që dhurimi i gjakut ka përfunduar, merren monstra për tu dërguar dhe testuar që të jetë një gjak i sigurtë. Fillimisht bëhet grupi i gjakut, analiza të agjenteve infektivë, analiza si HIV, Sifiliz, Hepatiti C, etj, të cilat ndihmojnë për të kuptuar nëse gjaku që ne kemi është cilësor dhe i sigurtë për pacientët. Njësia e gjakut që është dhuruar nuk përdoret si e tillë, prandaj themi “dhuro gjak, shpëto tre jetë” sepse gjaku ndahet në nënproduktet e tij, pra fillohet me procesimin e gjakut  apo përpunimin dhe ndahet në komponentet e tij siç është masa eritrocitare, plazma dhe masa trombocitare.

A ka një kategori personash të cilët nuk duhet apo nuk lejohet kategorikisht që të dhurojnë gjak ?

Po, janë disa kategori personash që nuk sugjerohet të dhurojnë gjak, këtu përfshihen:

  • Ata që kanë kaluar moshën 60 vjeç, që vuajnë nga një sëmundje e zemrës,
  • sëmundjet e gjakut,
  • nuk kanë hemoglobinën në parametrat që duhet,
  • ata që kanë kryer ndërhyrje dentare në dy javët e fundit,
  • ata që kanë marrë antibiotikë në dy javët e fundit,
  • që kanë pasur një gjendje virale apo që në 6 muajt e fundit kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale,
  • personat që kanë bërë tatuazh në 4 muajt e fundit në varësi edhe të madhësisë së tatuazhit,

A ka një moshë të caktuar kur mund të nisë dhurimi I gjakut ?

Mosha kur çdo individ mund të fillojë të dhurojë gjak është nga 18 deri në 60 vjeç.

Sa është sasia e gjakut që merret nga një person ?

Kjo varet në bazë të raportit peshë-gjatësi, presionit arterial, parametrave, gjinisë femër apo mashkull. Nomalisht sasia ideale eshte 450 ml por kjo gjë vendoset në raport me parametrat.

Çfarë këshillohet të bëjmë para dhe pasi kemi kryer procedurën e marrjes së gjakut?

E mira është që në momentin që vendos të dhurosh gjak duhet të jeni ushqyer mirë, hidratuar të keni pirë diçka paraprakisht, të jeni sa më të qetë e sa më të relaksuar, të keni konsumuar një vakt që mos të jete shumë i rëndë. Ndërsa pas dhurimit është e rëndësishme të kompesohen lëngjet e humbura me anë të ujit apo pijeve të tjera, pushimi diku 15-20 minuta, shmangia e aktiviteteve të sforcuara dhe moskonsumimi i alkoolit për të paktën 24 orët e ardhshme.

Individët që dhurojnë gjak a kanë ndonjë përfitim, të llojit ekzaminime apo analiza mjekësore të kryera falas?

Për dhuruesit vullnetarë ne i sigurojmë bërjen e disa analizave, siç janë gjaku komplet, analiza  biokimike etj, por nuk duhet ti mëshojmë pikërisht këtyre analizave pasi për ne janë thjeshtë një mënyrë për t’i falenderuar, pasi e gjithë procedura e dhurimit të gjakut është një akt human i vendosur mbi vullnetarizmin  dhe aktin e solidaritetit.

Sa është koha ekzakte që zgjat e gjithë procedura?

Si procedurë totale nga hyrja në qendër deri në përfundim është rreth 45 minuta, ndërkohë që vetë dhurimi i gjakut zgjat diku tek 10-12 minuta.

Mesatarisht sa njerëz i drejtohen qendrës tuaj apo qendrave të tjera të transfuzionit për të dhuruar gjak ?

Për vullnetarët ne organizojmë seanca dhurimi në varësi te institucionit ku ne shkojmë, të bankës së gjakut, pra në varësi të numrit të personave te paraqitur të cilët mund të jenë 10-15  persona apo edhe më shumë.

Cilat janë grupet e gjakut që kanë më shumë mungesa ?

Grupi i gjakut më i rrallë dhe më vështirë për tu gjendur është 0- që përbën edhe 15 % të popullsisë tonë.

A ka ndonjë orar ku fluksi i punës në qendrat e transfuzionit është më i madh ?

Per shkak te rikonstruksionit qendra kombëtare e transfuzionit të gjakut funksionon e hapur nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 pasdite për t’iu shërbyer qytetarëve, ndërkohë që bankat e spitaleve sidomos në QSUT edhe Spitali i Traumës ofrojnë orare më të zgjatura përsa i përket dhurimit të gjakut ku fluksin më të madh e kanë përgjithësisht oraret e mëngjesit.

Personat të cilët dhurojnë gjak a janë të rrezikuar nga infektimi me ndonjë sëmundje gjatë procedurës?

Absolutisht jo, produktet që përdoren për dhurimin e gjakut janë sterile dhe përdoren vetëm një herë vetëm për një dhurues. Personeli është i përgatitur për të gjitha ndërhyrjet, proceset,  pra është një dhurim i sigurtë dhe pa asnjë lloj efekti anësor.

Në fund të intervistës do doja një mesazh sensibilizues nga ana juaj për të gjithë qytetarët

Një njësi gjak mund të shpëtojë 3 jetë kështuqë bëhuni pak më human, qëndroni dhe ejani  pranë ambienteve tona, pranë bankave të gjakut për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe për të dhuruar buzëqeshje fëmijëve talasemikë, adultëve që vuajnë nga talasemia por jo vetëm gjithashtu edhe pacientëve që janë të hospitalizuar nëpër spitale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re