Nga Ornela Manjani*                                                      

Asnjë kryetar bashkie aktual nuk pengohet nga ligji për vetëqeverisjen vendore që të rikandidojë për zgjedhjet vendore të 2019-s, pavarësisht se ka pasur tre ose më shumë mandate të njëpasnjëshme. Kjo është vendosur para pak kohësh nga KQZ, ndërkohë që janë 13 kryetarë aktualë bashkish, të cilët kanë fituar tre mandate të njëpasnjëshme, kjo e evidentuar edhe më parë nga Porta Vendore, ku 6 prej tyre kanë qenë kryetarë bashkish edhe në dy mandatet e para, ndërsa 7 të tjerë kanë qenë kryetarë komunash në dy mandatet e para. Ky vendim i KQZ solli edhe interpretime të ndryshme nga dy partitë e mëdha PS-PD, Porta Vendore kontaktoi me të 13 kryetarët aktualë me 3 mandate të njëpasnjëshme, nëse ata do të rikandidojnë apo jo?!

Vendimi i KQZ

Duke qenë se ligji  139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, konkretisht në nenin 59, pika 2, përcakton se “Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje”, bëri që Partia Socialiste t’i drejtohet KQZ-së për moslejimin e kandidimit në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 për kryebashkiakët që kanë 3 mandate. Por, kjo kërkesë u rrëzua në mbledhjen e 26 shkurtit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi shqyrtoi kërkesën e  Partisë Socialiste për të mos lejuar kandidimin në zgjedhjet vendore  të kryetarëve të bashkisë që kanë më shumë se tre mandate njëri pas tjetrit e hodhi poshtë atë me votim. Mbledhja e 26 shkurtit u zhvillua mes debateve të ashpra, ku përfaqësuesit e Partisë Socialiste, insistuan në faktin se KQZ-ja është organi që duhet të interpretojë ligjin 139/2015. Në argumentin e tij para KQZ-së, përfaqësuesi i socialistëve, Eridian Salianji u shpreh se “është detyruese për KQZ-në të përcaktojë se si do zbatohet ky ligj. Thuhet qartë që kryetari i bashkisë mund të ushtrojë vetëm 3 mandate”. Kundër-argumenti i sjellë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në mbledhjen e KQZ-së ishte fakti se “kjo është një çështje me sensibilitet politik nga qeveria, pasi sipas tij, duan të pengojnë disa të zgjedhur vendorë që mazhoranca të ketë shanse në disa zona. Pas debateve, propozimi i Partisë Socialiste kaloi në votim. Për miratimin e kërkesës së PS-së duheshin 5 vota, por kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, votoi kundër, çka solli edhe rrëzimin e kërkesës. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i KQZ-së legjitimon rikandimin e të gjithë kryetarëve që kanë tre mandate të njëpasnjëshme, ku mes tyre janë Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Xhalal Mziu dhe Fran Frrokaj.

Pas vendimit të KQZ, do ketë rikandidim?!

Pas vendimit të KQZ-së, Porta Vendori kontaktoi me 13 kryetarët e bashkive, të cilët kanë drejtuar bashki ose komuna në tre mandate radhazi. Tre prej tyre preferuan të heshtin për vendimin e tyre mbi rikandidimin në zgjedhjet e 30 qershorit.

Fillimisht u pyetën 6 kryetarët e bashkive, të cilët kanë tre mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë dhe jo bashkë me komunat. Konkretisht, Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako; Kryetar i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu; dhe Kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismali, preferuan të mos flasin mbi këtë çështje. Gjithsesi, Mziu është parë përkrah kryetarit të PD, Lulzim Basha në disa takime që janë zhvilluar tashmë me banorët e Kamzës, pavarësisht se zyrtarisht ende nuk ka nisur fushata elektorale.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, pranoi se nuk do të rikandidojë në zgjedhje për një mandat të katërt. Madje, Partia Socialiste e ka gjetur zëvendësuesin e tij. Nën siglën e PS-së në zgjedhjet e 30 qershor për të marrë bashkinë e Elbasanit do të “luftojë” prefekti i këtij qarku, Gledian Llatja.

Kurse Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i pyetur nga Porta Vendore nëse do të rikandidojë për një mandat të katërt, shprehet se vendimi është politik dhe në dorë të strukturave të partisë ku bën pjesë.

I gjashti në listën e 6 kryetarëve të bashkive që kanë tre mandate të njëpasnjëshme është Gëzim Topçiu, i cili ndodhet në krye të Bashkisë së Maliqit që në vitin 2007. Në një prononcim për Portën Vendore, Topçiu thotë se është i gatshëm të rikandidojë, por është e detyruar të presë vendimin e partisë.

7 ish-kryetarë komunash

Edhe 7 kryetarët e bashkive, të cilët bashkë me mandatet si kryetarë komune, kanë tre të njëpasnjëshëm, deklarojnë kryesisht se do të rikandidojnë. Katër prej tyre deklarojnë me bindje se do të rikandidojnë, konkretisht kryebashkiaku i Shijakut, Adrian Kokomani; kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi; kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj dhe kryebashkiaku i Përmetit; Niko Shupuli.

Kurse Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, Kryetari i Bashkisë Selenicë, Përparim Shametaj dhe Kryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Zef Hila, deklarojnë se duhet pritur vendimi i strukturave të partisë, pasi të tre i përkasin Partisë Demokratike. “Kandimi ose rikandidimi nuk është me dëshirë. Është një procedurë për të cilën vendosin strukturat e partisë në Lezhë dhe kryetari i PDSH”, thotë Frrokaj. Ndërsa Përparim Shametaj pohoi gjatë një bisede telefonike se nuk e di ende nëse partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. “Por edhe në rast se hyhet në zgjedhje, do të pres që të më propozojnë strukturat e partisë”, deklaroi ai. I të njëjtin qëndrim mbetet edhe Zef Hila.

Eksperti: Ligji nuk është prapaveprues

Duke vlerësuar situatën aktuale, ku PS kërkoi moslejimin e kandidatëve me tre mandate, eksperti i Çështjeve Vendore, Shefqet Bruka, në një prononcim për Portën Vendore shprehet se ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i referohet mandateve që kryetarët e bashkive apo të njësive të qeverisjes vendore kanë ushtruar me këtë ligj dhe jo mandatet para se të hyjë në fuqi ky ligj. Sipas tij, nuk ka vakum ligjor. “Mandati që drejtuesit kanë fituar në vitin 2015 me ligjin e ri llogaritet si mandati i parë. “Me datë 17.12.2015 është miratuar ligji ‘Për vetëqeverisjen vendore’, i cili ka hyrë në fuqi me 30 janar 2016. Në bazë të përcaktimit në ligj, kryetari i bashkisë mund të ushtrojë vetëm tre mandate njëpasnjëshme. Nisur nga ajo që ligjet përgjithësisht nuk kanë fuqi prapavepruese, ligji i sipërcituar nuk ka parashikuar ndonjë prapaveprim, për rastin konkret në llogaritjen e mandateve. Po ashtu, bashkitë e sotme nuk janë ato të djeshmet, pra nuk është i njëjti territor dhe e njëjta popullsi. Si përfundim jemi përballë faktit që në vend kemi kryetar bashkie me vetëm një mandat”, thotë Bruka. Sipas tij, nuk është në tagrin e KQZ-së të bëjë interpretim të ligjit, por ta zbatojë atë. “Kur ka nevojë për interpretim, kërkesa duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thotë Bruka.

Pra, duke qenë se KQZ nuk e ndalon rikandidimin e kryetarëve me tre mandate dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht kërkesës së PS, duket se kjo nuk do i ndalojë kryetarët e “përjetshëm”, të cilët sivjet pritet të luftojnë për një mandat të katërt në krye të bashkive që drejtojnë, e sipas ekspertëve kjo situatë mund të vijojë edhe në një mandat tjetër pas këtij, konkretisht deri në vitin 2027, ashtu siç mund të veprojë një kryetar bashkie që është zgjedhur për herë të parë në vitin 2015./ Porta Vendore

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re