Nga Hoxhë Justinian Topulli

Nën frymën e keqinterpretimit të Islamit, sigurisht i imponuar ky nga trysnia e mjedisit laicist, që kërkon t’i faturojë fesë në përgjithësi, dhe Islamit në veçanti, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, shumë muslimanë janë bërë pacifistë të tipit budist! Islami thonë është paqe, sepse rrjedh nga fjala selam, që në gjuhën arabe do të thotë paqe. Edhe pse ky është interpretim i mangët dhe për rrjedhojë i gabuar, absurditeti i kësaj paqeje, me të cilën e interpretojnë Islamin, arrin deri aty, sa në emër të kësaj paqeje të pretenduar, kërkojnë të falen edhe kriminelët!

Islami është fe e Krijuesit dhe fe që përshtatet me natyrën njerëzore, si e tillë, ajo nuk është as fe vetëm e luftës dhe as fe vetëm e paqes, por fe që e pranon edhe luftën edhe paqen, sipas nevojës dhe domosdoshmërisë njerëzore, e përcaktuar kjo, si dhe kur, në korpusin e gjerë të së drejtës islame, që sigurisht mbështetet mbi ajetet Kuranore dhe praktikën profetike.

Para se të përshkruhet Islami si fe e paqes apo e luftës, ajo është fe e drejtësisë dhe drejtësia njeh edhe kulaçin, edhe kërbaçin. Allahu është i drejtë dhe për këtë, Ai shpërblen me Xhenet besimtarët, të mirët, të drejtët, bamirësit dhe ndëshkon me zjarr jobesimtarët, të ligjtë, të padrejtët dhe kriminelët. Edhe ligji islam në këtë botë i tillë është, dhe e tillë është edhe praktika profetike. Fakti se praktika profetike ka treguar më shumë tolerancë në mjaft raste dhe i tillë është edhe ligji islam, nuk do të thotë se toleranca mund të përfshijë edhe çdo lloj krimineli, në çdo lloj situate. Sigurisht, ka pasur dhe ka mjaft raste kur për shkak të pendesës, kthesës dhe ndryshimit, apo faljes nga ana e familjarëve, legjislacioni islam parashikon edhe shmangien e dënimit kapital, për njerëz që kanë kryer krime ndaj jetës së njerëzve, por kjo bëhet gjithmonë pa dalë jashtë kornizës së drejtësisë islame, që si parim bazë ka normën Kuranore që thotë: sy për sy, vesh për vesh, dhëmb për dhëmb, dhe jetë për jetë, parim ky edhe më i hershëm në fakt, që gjendet edhe në Teurat.

Kështu që në këtë kontekst, rënia e një regjimi kriminal, qoftë edhe me paqe, nuk shfajëson çdo njeri që i ka shërbyer këtij regjimi, aq më tepër gjakësorët e tij. Sigurisht, pjesa më e madhe e shërbëtorëve të regjimit komunist, fetarisht dhe moralisht, pasi e kanë kuptuar dhe pranuar më së fundi se ai regjim ishte i keq dhe kriminal, nuk do të përfundonin nëpër burgje, por më së paku ndaj tyre duhej bërë një gjyq moral dhe duheshin dhënë disa dënime morale, siç kanë bërë në ndonjë vend të ish-lindjes komuniste, duke mos i lejuar ata të kenë më funksione publike, politike apo arsimore. Ndërsa për sa i përket atyre që i kanë shërbyer me zell regjimit gjakatar komunist, duke qenë drejtpërdrejt ekzekutorë dhe urdhërues ekzekutimesh, për ata që i kanë lyer duart me gjak të pafajshëm njerëzish, nuk mund të ketë falje, sadopak qofshin ata. Njerëz si Aranit Çela dhe të ngjashëm me të, nuk mund të faleshin, sepse sado poshtë apo lart të ishin në rangun e hierarkisë komuniste, ata ishin përgjegjës drejtpërdrejt në derdhjen e gjakut të pafajshëm të shqiptarëve. Të tillë njerëz nuk janë aspak më të mirë sesa eksponentët e regjimit nazist, që u dënuan menjëherë pas luftës, e disa madje edhe shumë vite më pas, kur u zbuluan dhe u kapën. Kështu që nëse amnistia do të përfshinte shumicën e njerëzve që i shërbyen regjimit komunist, pakica më kriminale e tyre duhej dënuar me dënimin më të rëndë.

Kur Profeti hyri në Mekë me dhjetëmijë luftëtarë, dhe banorët e Mekës u dorëzuan përgjithësisht pa luftë, i Dërguari i Allahut i fali ata, por jo të gjithë ama. Ai përjashtoi nga falja disa njerëz, të cilët edhe pse ishin shumë pak, ai dha urdhër që të ndëshkoheshin kudo që të gjendeshin, edhe sikur të ishin kapur pas mbulesës së Qabesë, sepse mbi ta rëndonin krime konkrete, për të cilat ata nuk mund të faleshin. Vërtet shumica e tyre mundi t’i shpëtojë ndëshkimit, duke marrë arratinë dhe duke kërkuar më pas strehë nën besën e disa muslimanëve, duke kërkuar falje dhe pranuar Islamin, dhe duke dhënë shembull pozitiv të ndryshimit, por pati disa prej tyre që nuk i shpëtuan dënimit. Ndërkohë që kriminelët e regjimit komunist, shumë prej tyre jo vetëm që nuk kërkuan falje për krimet e bëra, por madje mburreshin, duke i quajtur aktet e tyre kriminale si të drejta dhe në shërbim të socializmit dhe atdheut! Si mund të faleshin apo falen këta njerëz? Këta janë turpi i shqiptarëve dhe i çdo pushteti që nuk ka bërë asgjë për t’i dënuar. Ndërsa përshtypja se feja dhe fetarët duhet të falin çdo lloj krimi, jo vetëm nuk është islame, por nuk është as e drejtë dhe as njerëzore, është një imazh pacifist i shpërfytyruar i fesë, i formuar sa nga imponimi laicist afetar, se si duhet të jetë feja sipas mendimit të tij, po aq edhe nga sekte dhe fe të deformuara, që kanë humbur vërtetësinë e shpalljes hyjnore.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re