Nga Blendi Gashi

Pas demarkimit të kufirit me Malin e Zi, luftimi i krimit dhe korrupsionit është kriteri i fundit që ndërkombëtarët caktuan për Kosovën që t’i hiqen vizat në fund të këtij viti apo fillimvitin e 2019-tës.

Të gjithë politikanët kosovarë, kryeministri, kryekuvendari e ministrja e Integrimeve por jo vetëm, u shprehën të sigurt se vizat do hiqen sivjet duke thënë se vendi ka bërë përparime në luftën anti-korrupsion.

Por se këto pohime mbeten vetëm deklarata të thata e asgjë më shumë, tregon rasti i veteranëve, ku prokurori special Elez Blakaj që merrej me rastin në fjalë iku drejt Amerikës, për siç tha, kërcënimet që ka marrë nga “të fortit” ku akuzoi edhe kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi se e ka qortuar vetëm pse ka thirrur si dëshmitar kryeparlamenetarin Kadri Veseli.

Kërcënimin e Blakajt dhe ikjen e tij nga vendi, ambasadori amerikan Greig Delawie e cilësoi si  “ditë të keqe” për Kosovën, duke shprehur thellë shqetësimin për gjendjen e drejtësisë.

“Rasti Blakaj” tashmë ka ngritur shqetësimin se vizat nuk do hiqen për kosovarët, pasi u vërtetua se luftimi i korrupsionit po ndodh veç me fjalë e jo me vepra.

Është kryeministri Haradinaj që ka dhënë i pari alarmin se vizat mund të mos hiqen, për çka bën fajtor Blakajn duke thënë prokurori i dorëhequr po e akuzon sistemin e drejtësisë me pa të drejtë

“Na jemi në proces të liberalizimit të vizave, jemi në proces të bindjes së Bashkësisë ndërkombëtare që kemi rend dhe ligj, dhe ky hajni (Elez Blakaj) na e k qit pikëpyetje me e marrë liberalizmin e  vizave sepse po e akuzon një sistem…”, ka thënë Haradinaj.

Por njohësit e integrimeve thonë se vizat mund të mos hiqen jo për fajin e Blakajt, por pikërisht pas deklaratave të krerëve të shtetit dhe kërcënimeve të bëra ndaj ish-prokurorit special.

 Taulant Kryeziu, njohës i integrimit evropian, thotë se klasa politike duhet ta kuptojë se pa sistem të drejtësisë të pavarur, kredibil, profesional nuk ka perspektivë evropiane për qytetarët e vendit.

“Rastet si ky (rasti Blakaj) shënojnë hap mbrapa në procesin integrues dhe liberalizimin e vizave. Mos të harrojmë se kriteri i dytë  për viza (luftimi i korrupsionit) është kriter i cili asnjëherë nuk pushon së monitoruari nga Komisioni Evropian. Dhe çdo rast ku dëshmohet hapur ndikimi politik në drejtësi është hap mbrapa në këtë proces dhe minim i paprecedent i pavarësisë së gjyqësorit. Vendimmarrja politike për vizat zhvillohet në mes të dy institucioneve të BE-së, Parlamentit dhe Këshillit dhe çdo herë që ne prodhojmë lajme ku sundimi i së drejtës mbetet vetëm në retorikën politike, ne bëjmë hapa pas në proces dhe kjo vetëm sa thellon dyshimet te vendimmarrësit në Berlin, Paris e Bruksel”, thotë Kryeziu për tesheshi.com.

Artan Murati, poashtu njohës i integrimit evropian, vlerëson se ndërhyrja e politikës në drejtësi mund të ndikoj në perceptimin negativ të Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian për çështjen e vizave.

“Çështjet e drejtësisë asnjëherë nuk duhet të jenë pjesë e diskursit politik, sepse pushtetet janë të ndara. Andaj, përkundër tendencës së politikës për ta demonizuar dorëheqjen e ish-prokurorit Blakaj, një gjë e tillë jo domosdoshmërish ndikon në proces të liberalizimit, vetëm nëse politika vazhdon të përzihet në punët e drejtësisë. Kërcënimi nga politika ndaj njerëzve të drejtësisë dërgon sigurisht që çon mesazh negativ te shtetet e BE-së dhe mund ta vështirësojë vendimmarrjen”, thotë Murati për tesheshi.com.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re