Shpesh na ndodh në jetën e përditshme të përdorim batuta nga filmat artistikë shqiptarë, në kuadër të bisedave tona të ditës. Kështu ndodh kur duam të ironizojmë ndonjë mik të ngathët, teksa rri me muaj prapa fustanit të ndonjërës e i themi: “Fiqtë, se do të t’i hanë të tjerët”, kështu ndodh kur shkelim rregulla administrative në emër të ndonjë funksionari a pushtetari që njohim, duke u ndjerë të sigurt nën batutën “Ka ligj, por ka edhe Maliq” etj.

Na janë bërë kaq personale, sa tashmë e kemi harruar që ato janë pjesë e një prej filmave më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, “Përrallë nga e kaluara”, mbështetur në një prej komedive më të spikatura të fundshekullit të kaluar, “14 vjeç dhëndër” i autorit Andon Zako Çajupi. Rrëfen historinë e një familjeje fshatare në një fshat mes malesh ku burrat e kalojnë kohën me kafe e muhabete, ndërsa gratë punojnë në arë e në shtëpi.

E për të pasur një kafshë pune që ta ndihmojë në punët e rënda, e ëma e një katërmbëdhjetëvjeçari nuk duron të bëhet vjehrrë kur t’i vijë koha, por kërkon e merr për nuse të djalit një njëzetvjeçare. Komedia u shndërrua në skenar filmi nga regjisori Dhimitër Anagnosti, i cili i besoi muzikën kompozitorit Limos Disdari dhe shpërndau rolet në një kast aktorësh si Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Elvira Diamanti, Xhevdet Ferri dhe në rolin e dhëndrit 14-vjeçar, asokohe 12-vjeçarin Admir Sorra.

Martesa e një djali 14-vjeçar me një vajzë të rritur në të kaluarën ka qenë një realitet që duhej kritikuar. Në ditët tona kjo duket si një “Përrallë nga e kaluara”. Marigoja është e mbushur me inat e protestë për martesën e detyruar me një 14-vjeçar, naiv dhe të pastër. Të dy janë viktima të padrejtësive shoqërore.

Marigoja lufton në emër të dashurisë së vërtetë, për pak lumturi më shumë. Në këtë luftë ajo përdor marifete nga më të ndryshmet për t`u hakmarrë me të gjithë ata që ujdisën këtë martesë të panatyrshme. Një fshat të tërë trazon për të arritur në qëllimin final të saj, për t’u martuar me njeriun që pat zgjedhur vetë.

Filmi fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1988, çmimin e dytë në Festivalin e VIII të Filmit Shqiptar, në 1989-ën, kurse nga aktoret Hajrie Rondo u nderua me çmimin e dytë për rolin e Tanës dhe Elvira Diamanti u nderua me çmimin e tretë për rolin e Marigosë. Filmi fitoi gjithashtu çmimin e parë në Festivalin e 15-të Ndërkombëtar të Filmave të Evropës Lindore, në Bondy-Francë, në vitin 1990.

 

Si u gjend asokohe 12-vjeçari Admir Sorra në rolin e Gjinos?

Përzgjedhja për rolin e Gjinos ka qenë e rastësishme dhe nuk kam qenë unë që kam shprehur i pari dëshirë të interpretoja, edhe pse kam qenë i dhënë pas filmit dhe teatrit. U zgjodha mes 3500 fëmijëve nga dy as/regjisorët dhe më pas ka qenë regjisori Dhimitër Anagnosti që vendosi për interpretimin tim në “Përrallë nga e kaluara”.

 

A qe e thjeshtë marrëdhënia me personazhin?

Aspak, ishte filmi i parë dhe isha vetëm 12 vjeç. Kisha patjetër dëshirë të aftësohesha në mënyrën e interpretimit, por isha krejtësisht i pa përpunuar. Qe regjisori Dhimitër Anagnosti ai që i dha formë personazhit tim.

 

A mund të quhet koherent filmi?

Mbas kaq vjetësh e shikoj me një sy tjetër, ngjarje të tilla është e vështirë që të ndodhin, po filmi ka gjithë lezetin e mënyrës së trajtimit të ngjarjeve dhe realitetit të asaj kohe.

 

Po xhirimet i mban mend?

Edhe sot ndjehem i emocionuar kur shoh filmin dhe kam çdo gjë të fiksuar në memorien time për sa i përket skenave të xhirimit të filmit. Asnjë ditë nuk qe e njëjtë me paraardhësen dhe janë pikërisht këto kujtime që më zgjojnë dëshirën për t’i përjetuar sërish.

 

Pse mbetet ende sot kult?

Në Shqipëri nuk ekzistojnë sondazhe për shikueshmërinë dhe pëlqyeshmërinë e filmave vendas. Asnjëherë nuk është ndërmarrë një nismë për të vënë rendin në atë mori filmash, që nuk janë shumë, por që kanë nevojë për një risistemim për sa i përket qëndrueshmërisë në kohë. Por ka një tregues tjetër, përtejzyrtar, që të bën të vëresh se një pjesë e filmave të dikurshëm nuk qenë filma që u bënë dhe iu përgjigjën vetëm asaj kohe.

Shqiptarët jashtë vendit, të apasionuar pas kinemasë së vendit ku kaluan rininë, shohin e rishohin filmat e dikurshëm të kinostudios. “Përrallë nga e kaluara” është një nga më të ndjekurit dhe ndër më të transmetuarit në Shqipëri, pavarësisht mungesës së referencave zyrtare. Epoka e internetit ka lejuar që përhapja e tij të jetë mjaft e madhe. Duke lënë mënjanë të gjitha shkeljet, një gjë është e sigurt, filmi nuk po harrohet, por po rivlerësohet dhe po kërkohet dita dita ditës.

“Përrallë nga e kaluara” është një pjesë e përhershme e shpirtit shqiptar, që transformohet në kohë, për shkak të konvencioneve dhe rrethanave të reja, por që në thelb mbetet i njëjti. Kur Dhimitër Anagnosti shprehej teksa merrte çmimin e parë në Festivalin Dytë të Filmit Shqiptar, më 1977, me filmin ” Lulëkuqet mbi mure”: ” Kam dashur të bëj diçka që të “varroset” në zemrat e njerëzve.

Vetëm kështu mund t’i bëj një “rreng” harresës, shuarjes. Vetëm kështu mund të mbetem në kujtesën kolektive të popullit tim”, ai ndoshta nuk e kishte parashikuar se pas çdo filmi do të arrinte të përforconte gjithnjë e më shumë këtë fat të vetvetes artistike.

Dhimitër Anagnosti është dekoruar kështu nga presidenti i Republikës, Bamir Topi me motivacionin si njeriu dhe autori që përmes filmave të tij shënoi një pikë referimi në artin shqiptar. Vetë Anagnosti, ia kushtoi një vlerësim trupës se teknikëve, me të cilët realizoi filmat, por dhe bashkëshortes së tij, aktores Roza Anagnosti.

 

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re