Gazmend Bardhi ka qënë ministër teknik i Drejtësisë i emëruar nga PD-ja në kuadër të marrëveshjes së 17 majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Bardhi e mori seriozisht detyrën por dhe urdhërin e kreut të PD, sipas të cilit LSI ishte një parti armike që “duhej çuar për skrap”. E thoshte Basha në çdo takim elektoral.

Dhe nuk ishte vështirë të gjeje afera në ministritë që kishin drejtuar përfaqësuesit e Ilir Metës në qeverisjen e vendit.

Ministria e Drejtësisë gjatë mandatit të parë të qeverisë së Edi Ramës, në koalicion me Ilir Metën ka qënë e drejtuar nga përfaqësues të LSI, në kuadër të marrëveshjes së koalicionit.

Në fillim ishte Nasip Naço, më pas Ylli Manjani dhe në fund i erdhi radha dhe të shkolluarit për mjekësi Petrit Vasili që të bënte ministrin e Drejtësisë.

I ka koalicioni këto, sidomos kur bëhet me LSI-në: njeriut i gjendet puna dhe jo ti gjendet punës njeriu.

Ish ministri teknik i PD Gazmend Bardhi zbuloi se ishin zhdukur “byzylykët elektronikë” të mbikqyrjes së të dënuarve.

Byzylykët ishin blerë në prill 2017 por kompania s’ia jepte ministrisë së Drejtësisë, duke dorëzuar gjatë muajit korrik vetëm 72 byzylykë nga afër 300 të tillë.

Në kushtet e një konflikti, ish ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi i dërgoi një letër zyrtare kompanisë përmes së cilës i kërkonte t’ia japin në dorëzim mallin, pasi e kishin bërë hyrje vetëm me letra.

“Cila është arsyeja që ju nuk e zbatoni kërkesën tonë për të na kthyer mallin? Më sillni pajisjet, keni 72 orë kohë për të bërë dorëzimin”, thuhej në shkresën e ministrit Bardhi i cili në letër ngre dyshime edhe për cilësinë e “byzylykëve elektronikë”. Byzylykët dhe sistemi nuk janë sipas specifikimeve teknike në kontratë”, shkruante Bardhi në letrën e asaj kohe.

Dhe një javë pas skandalit të tenderit të “byzylykëve” pranë mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve ministri teknik i asaj kohe Gazmend Bardhi depoziton në prokurorinë e Tiranës kallëzim penal për bashkimin e operatorëve fitues të tenderit dhe ish sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë.

Sipas Ministrisë, kallëzimi penal është bërë ndaj firmave “Fastech”, “Ratech” e “Soft Solution” si dhe ndaj ish sekretares së kësaj ministrie Juliana Hoxha pasi është personi që ka firmosur kontratën me kompaninë fituese.

Ky kallëzim erdhi në përfundim të hetimit administrativ të kryer nga ministria e cila prej dy ditësh kishte marrë në dorëzim disa prej “byzylykëve” të dorëzuar nga kompanitë fituese.

Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në prill të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 2 milion euro u shpallën fitues tre operatorët ekonomik. Pra vetëm një muaj para zgjedhjeve.

ReportTv në atë kohe ka hedhur dritë mbi këtë tender ku rezultonte se ishin shkelur një sërë procedurash dhe ishte favorizuar bashkimi i operatorëve fitues.

Ende dhe sot e kësaj dite mungon një përgjigje zyrtare për procesverbalin e marrjes në dorëzim apo funksionimit të “byzylykëve” për të kuptuar sa prej tyre janë funksional vendosur tek të burgosurit, sa prej tyre janë të dëmtuar e sa prej tyre u kthyen nga firma tek ministria e drejtësisë.

Ndërkohë që me ardhjen si ministre e Drejtësisë të Etilda Gjonajt, Gjykata e Tiranës riktheu sërish çështjen e “byzylykëve të mbikqyrjes elektronike” të personave që u kufizohet lëvizja për shkak të veprave penale që dyshohen se kanë kryer.

Pas denoncimit të skandalit me byzylykët elektronikë nga ish-ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi në gusht 2017, çështja ju referua për hetime Prokurorisë së Tiranës. Por kjo e fundit vendosi mosfillimin e procedimit.

Ky vendim i prokurorisë u ankimua më pas nga ministrja e aktuale e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë këtë ankim duke urdhëruar Prokurorinë që të regjistrojë procedimin penal për byzylykët e mbikëqyrjes elektronike.

Më konkretisht, Prokurorisë i kërkohet të verifikojë dyshimet se “byzylykët elektronikë” që janë dorëzuar nga bashkimi i operatoreve nuk janë funksionale.

Ky dyshim lindi pasi ish-ministri teknik Bardhi konstatoi se “byzylykët elektronikë”, që ishin blerë nga ministria, nuk mbaheshin nga qendra e mbikëqyrjes elektronike në Ministrinë e Drejtësisë, por nga bashkimi i operatoreve, të cilët ja kishin shitur institucionit.

Pas denoncimit të këtij rasti në gusht 2017, ministri teknik Bardhi urdhëroi fikjen e shërbimit të mbikëqyrjes elektronike për gati 90 persona që mbanin byzylykët, pasi ishin evidentuar raste që personat e kishin hequr byzylykun pa u konstatuar nga salla e mbikëqyrjes.

Ministria e Drejtësisë gjatë drejtimit të Manjanit dhe të Vasilit, si autoritet kontraktor, ka mbështetur fort bashkimin e kompanive Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions, për të fituar tenderin e byzylykëve elektronikë, me vlerë afër 2 milionë euro, për mbikëqyrjen e të dënuarve.

Ministria ka mbrojtur vendosjen e afateve të shkurtra kohore dhe specifikimet teknike, të përshtatshme vetëm me byzylykët e markës Track Group, me qëllim që tenderin ta fitonin tre kompanitë në fjalë.

Report TV në atë kohë publikoi dhe përgjigjen e dokumentuar, me anë të shkresës nr. 62/2 datë 10.01.2017, që Ministria e Drejtësisë i ka kthyer kompanisë “B.360” sh.p.k., pjesëmarrëse në garë.

Sipas Report TV më kohën kur Ermal Beqiri ka qenë drejtor informatik i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme (ZRPP), shoqëria “Soft & Solutions”, e lidhur me të, ka fituar mjaft tendera nga vetë ZRPP. Kjo është si të thuash se Ermal Beqiri ishte drejtues i një zyre, që i jepte punë publike një ndërmarrjeje të lidhur me të.

Kështu skandali i 300 byzylykëve elektronikë, të blerë nga ministria e Drejtësisë në mars 2017 nga një konsorcium prej tre shoqërish, ndërmjet të cilave ishte “Soft &Solutions” e mbi të cilin po hetonte Prokuroria e Përgjithshme, zgjerohet duke përfshirë tendera të tjerë.

Prej një investigimi të bërë nga Shqiptarja.com në atë kohë, në fakt u zbulua se shoqëria Soft & Solutions, zyrtarisht në pronësi të Arjola Koromanit, në të vërtetë është e lidhur drejtpërsëdrejti me Ermal Beqirin, ekspert informaticien, ish-profesor pranë Universitetit Kristal, që ka arritur suksesin profesional në sajë të lidhjeve me politikën dhe që, pas zgjedhjeve 2013, u emërua drejtor informatik i ZRPP-së.

Çështjet janë të lidhura me njëra tjetrën. Pasi Ermal Beqiraj rezulton dhe eksperti që mori Meta dhe nxori të pavlefshëm vidio-përgjimin e të ndjerit Dritan Prifti për “Bllokun” dhe ryshfetin 700 mijë euroshe të Presidentit aktual.

Ndërkohë që ministër Drejtësie ka qënë mjeku Petrit Vasili, aktualisht numri dy i LSI. Prokuroria e nisi vrullshëm hetimin për herë të dytë por sërish ato janë ndalur.

U fol se do të thirrasin për të dhënë dëshmitë e tyre ish ministrat e drejtësisë Ylli Manjani e Petrit Vasili me cilësinë e të paditurit, dhe ish ministri teknik Gazmend Bardhi si paditës.

Nuk ka ndodhur ende, ndërkohë që kjo aferë 2 milionë euroshe e “byzylykëve” me sa duket është arkivuar, si shumë të tjera.

Tani mbetet mister nëse sekretari aktual i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi diskuton ndonjëherë privatisht aferën e “byzylykëve” me numrin dy të LSI Petrit Vasili. Meqë shkojnë në takime dhe dalin bashkë në deklarata publike, duke mbështetur njëri tjetrin. Dhe PD-LSI janë në aleancë opozitare.

Ndërkohë që deri më tani s’kemi parë ndonjë distancim të kryetares së LSI Monika Kryemadhi nga ish ministri i saj Petrit Vasili, sikurse bëri me Lefter Kokën./M.N-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re