Në rajonin Ghazni të Afganistanit tre rrethe kanë kaluar nën kontrollin e talibanëve gjatë 24 orëve të fundit.

Deputeti i Ghaznit, Hudad Irfani, në një deklaratë tha se militantët kryen sulme të njëkohshme në rrethinat Hoxha Omari, Vaiz dhe Mukur të rajonit Ghazni.

Duke konfirmuar se tre rrethet në fjalë kaluan nën kontrollin e talibanëve si pasojë e sulmeve, Irfani deklaroi se forcat e sigurisë ishin tërhequr nga këto rrethe.

Irfani paralajmëroi se talibanët mund të marrin kontrollin në të gjithë rajonin e Ghaznit nëse vazhdojnë me këtë ritëm.

Nga ana tjetër, Ministria afgane e Mbrojtjes njoftoi se rrethi Pashto Kot i provincës Faryab në veri të vendit dhe rrethet Shinwari të provincës Pervan janë rimarrë nga talibanët.

Në vijim të deklaratës thuhet se një operacion është kryer kundër talibanëve në 14 provinca gjatë 24 orëve të fundit. Në këtë operacion janë vrarë 235 militantë dhe plagosur 161 militantë të tjerë.

Më 20 qershor talibanët morën kontrollin e dy rretheve në provincat veriore të Balkh dhe Samangan dhe më 21 qershor morën rrethet Devlet Abad, Sholgere dhe Kishindeh, përsëri të provincës Balkh.

Numri i rretheve që ka kaluar nën kontrollin e talibanëve në 2 muajt e fundit është mbi 45.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), talibanët kontrollojnë 50 deri në 70 për qind të territorit të vendit, me përjashtim të qendrave urbane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re