Partia Socialiste ende nuk ka një qëndrim për deputetin Arben Ahmetaj pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij.

kuvend-ahmetaj-1

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari ende në detyrë Taulant Balla u komunikoi dje deputetëve kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Jo zyrtarisht mësohet se socialistët kanë kërkuar të njihen me përmbajtjen e dosjes dhe më pas të kenë një qëndrim ndaj ish zëvendës kryeministrit nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.

Me përfundimin e mbledhjes së grupit parlamentar të PS, në vilën 30 u takuan Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Sekretari i Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla.

Zyrtarisht nuk dihet qëllimi i takimit, por ai vjen pas kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj dhe një ditë para se Këshilli i Mandateve të mblidhet për të diskutuar për heqjen e imunitetit të deputetit. Po aq takimi mes drejtuesve të lartë të qeverisë dhe Partisë Socialiste vjen pas ndryshimeve në kabinetin “Rama 3”. Pas shkarkimit të Bledi Çuçit, presidenti Bajram Begaj dekretoi Taulant Ballën si ministër të Brendshëm. Me marrjen e detyrës së re, socialistët ende nuk kanë vendosur për kryesuesin e ri të grupit të tyre parlamentar.

IMUNITETI

Sot në ora 16:00 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në fokus do të jetë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për arrestimin dhe kontrollin në banesën e deputetit socialist, ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Urdhri për thirrjen e mbledhjes është firmosur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Në urdhrin e Nikollës thuhet: “Urdhëroj thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, datë 11.7.2023, ora 16:00 në Kryesinë e Kuvendit”.

Rendi i ditës do të jetë “shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqje e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj”. Ashtu siç cilësohej edhe në kërkesën e SPAK, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të zhvillohet me dyer të mbyllura me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedural penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.

Gjithashtu, sipas urdhrit të kryetares së Kuvendit, ngarkohet sekretari i përgjithshëm për njoftimin e deputetit Ahmetaj, për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes. 48 orët afat, që nisi nga marrja e kërkesës së SPAK, ka Këshilli i Mandatave në Kuvendin e Shqipërisë për t’i hequr imunitetin e deputetit, Arben Ahmetajt. Rregullorja përcakton lajmërimin e deputetit, në mënyrë që të marrë kohën e mjaftueshme për të paraqitur në Këshill, me shkrim ose me gojë pretendimet për çështjen. Pas vendimit të Këshillit të mandateve, procedura i kalon seancës plenare.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. Fjalën i pari në seancë plenare do ta marrë Arben Ahmetaj, i cili do duhet t’u përgjigjet edhe pyetjeve të deputetëve. Votimi i ligjvënësve do të jetë i fshehtë. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës, atëherë ajo konsiderohet e rrëzuar. Para vitit 2012, deputetët kishin imunitet të plotë, ndaj tyre nuk mund të fillohej asnjë lloj hetimi pa kërkuar paraprakisht heqjen e imunitetit nga Kuvendi. Në Shtator 2012, imuniteti i deputetëve u kufizua vetëm në mbrojtjen nga arresti dhe kontrolli i pasurive, ndërkohë që Prokuroria mund të hapë në çdo kohë hetim pa kërkuar leje nga Kuvendi.

Pas këtyre ndryshimeve ligjore Kuvendi mori disa vendime për heqjen e imunitetit. Vetëm në vitin 2015, iu hoq imunitetit 3 deputetëve. Kuvendi i hapi rrugë arrestimit të Mark Frrokut. Kërkesa vinte nga shteti belg, ku deputeti akuzohej për një vrasje atje. Në 2015, vendimmarrja e radhës për heqjen e i imunitetit ishte për Tom Doshin. Ai akuzohej për shpifjen e një komploti për vrasjen e tij nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Një tjetër deputeti që iu hoq mandati ishte dhe Armando Prenga. Prokuroria e akuzonte për plagosjes me armë zjarri të një personi gjatë një konflikti me familjen Cali për “Lagunën e Patokut” në Lezhë.

Në Tetor të vitit 2017, Parlamenti votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit. 2 vite më pas, në 2019-ën, Partia Socialiste bëri një tentativë për rishikimin e nenit 118 dhe 119 që përcaktonte se hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Këshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend. Në këtë mënyrë, mazhoranca synonte kushtëzimin e Prokurorisë. Por në moment të fundit, socialistët i dhanë fund kësaj tentative duke mos bërë asnjë ndryshim në rregullore. Rreth 3 vite më pas historia e lënies së mandatave për shkak të hetimeve përsëritet. Alqi Bllako la mandatin pas ngritjes së akuzave për çështjen e inceneratorëve ndërsa Lefter Koka nuk pranoi ta merrte mandatin 9 ditë para betimit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re