Dy emra ikonikë të gazetarisë shqiptare ndërruan jetë vitet e fundit, Andrea Stefani dhe Fatos Baxhaku; ishin gazetarë të mirë por dhe njerëz të mirë. Ndaj dhe u shkruajt mirë për ta. Ndaj dhe ikja e tyre dhembi në shoqëri.

Ndër të fundit e ikur nga gazetaria, me nam por jo ikonik, është Kastriot Myftaraj. Askush s’po shkruan me dhimbje për të. Po del në pah që paska patur të njohur, por jo miq. Për të ka dhënë detaje Ndriçim Kulla dhe Ylli Manjani, të cilët paskan patur komunikim me të, por nuk kanë shkruar për të, nuk kanë përçuar konsiderata. Pak ditë pas vdekjes, kjo nuk ka ndodhur dhe as ka shenja të ndodhë. Pse? Sepse i ikuri s’ka qenë njeri i mirë.

Ndër të gjallë, Frrok Çupi është gazetar me emër dhe që vijon të bëjë emër, por deri më tani, as ata që e njohin nga afër nuk thonë se ai është njeri i mirë, për të mos thënë të kundërtën e këtij pohimi. Ndërsa Sandër Çipa, të cilin ai përmend në një shkrim të fundit, ku aludon se mund ta gjejë belaja nga Ahmed Kalaja, është dhe njeri i mirë pos gazetar i mirë. Përmend dhe Denis Dyrnjanë, si “gazetar të së ardhmes”, por çështja është se Dyrnjaja s’është djalë i mirë dhe ky është opinion unanim në TCH.

Këtë çështjen e “njeriut të mirë” ne kurrë s’e trajtojme kur është fjala për personalitetin e një figurë publike me impakt publik, sidomos në politikë e media.

Fjala vjen, a është Edi Rama një njeri i mirë edhe në mos ia qëlloftë si politikan apo kryeministër?

Ai e ka bërë të qartë ambicien e tij për t’u kujtuar në histori pas vdekjes për atë që do t’i lërë Shqipërisë, por nuk ka potencuar se dëshiron të kujtohet dhe si njeri i mirë, pos veprave që mund të lërë.

Po Berisha është në thelb njeri i mirë? Po tjetri, tjetri, tjetri, me të cilët bëjmë lajme çdo ditë, që i kemi çdo ditë në jetën tonë?

Te filmi “Malet me blerim mbuluar”, është një skenë monumentale, nga e cila buron një thënie monumentale me moral monumental.

Pasi Peliçeli tenton të bindë bashkëatdhetarin e tij të rënë në dëshpërim që t’i rikthehej jetës me optimizëm, si ai me partizanët, në fund i thotë: “Ne ndoshta ushtarë të mirë s’jemi, por njerëz të mirë e kemi për detyrë të jemi”.     

Dhe kjo vlen për çdokënd, jo vetëm për anonimët e kësaj bote. Madje më pak për këta, meqë s’kanë patur as përgjegjësi të madhe publike. Ndërsa te ata që kanë diktuar dhe fate njerëzish në masë, kjo është thelbësore, nëse ata janë apo jo njerëz të mirë në radhë të parë.

Duke e mbyllur aty ku e nisëm, pa ia përmendur bëmat, momenti dhe koha po i vë vulën Katriot Myftarajt: ai s’ishte hiç njeri i mirë! Vdekja e tij ishte lajm por jo dhimbje. Madje lehtësim për shumë kënd! /tesheshi.com/            

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re