Ish-kryeministri Sali Berisha do të merret sot në orën 14:00 në pyetje nga GJKKO si person nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizani”. “Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditën e nartë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 të K.Pr.Penale”, – njofton GJKKO.

Pasditen e së hënës oficerët e Policisë Gjyqësore trokitën në apartamentin e ish-kryeministrit për t’i dorëzuar zarfin me vendimin e gjykatës, që caktoi masën “Detyrim paraqitje”. Ende nuk dihet nëse Sali Berisha ka pranuar të marrë dijeni për këtë vendim.

Ky veprim i oficerëve vjen pas refuzimit që Berisha u bëri në zyrën e tij, në selinë e PD-së. Dy oficerët qëndruan jo më shumë se dy minuta. Bashkë me ta zbritën dhe dy truprojat e ish-kryeministrit. Por, Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzat duke e cilësuar antikushtetuese vendimin e gjykatës. Sipas tij, kufizimi i lirive të deputetit merret me vendim të parlamentit. Këtë qëndrim mbajti më herët dhe përfaqësuesi i tij ligjor i zotit Berisha para dyerve të SPAK.

“Vendimi nuk është ekzekutuar për shkak se është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin që zoti Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim ai nuk është pjesë e këtij procesi. Këtë ngërç procedural duhet ta zgjidhin ato që e krijuan”, – deklaroi avokati.

SPAK e akuzon Sali Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Malltezit.

Në dosjen e SPAK thuhet se Berisha ka vendosur strukturat e ndryshme të administratës në dispozicion të Malltezit për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. Por para gazetarëve lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi se akuzat e SPAK-ut ndaj tij, nuk do të ndryshojnë asgjë në betejën e opozitës kundër qeverise Rama.

Berisha: Shkoj në seancë gjyqësore, por jo në shkelje të Kushtetutës

Ish-kryeministri Sali Berisha tregoi dje nëse do të jetë i pranishëm ose jo në seancën gjyqësore që GJKKO ka kërkuar të martën e 24 tetorit. Në një intervistë televizive, Berisha tha se do të zbatojë çdo akt të ligjit dhe sipas tij, Kushtetuta është ajo e cila refuzon që Berisha të jetë pjesë e kësaj seance.

“Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amendamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj”, – u shpreh ai. Sipas Berishës, nëse procesi kalon në parlament, ai tha se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta. “Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim. Njeriu që ka dërguar në vitin 2012 ligjin për këtë çështje as nuk më shkon kurrë në mendje ta refuzoj”, – deklaroi Berisha për “Euronews”.

SEANCA PER MALLTEZIN

GJKKO la dje të pandryshuara masat e sigurisë për Jamabër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, në lidhje me privatizimin e ishkompleksit “Partizani” në kryeqytet, duke lënë në burg Jamabër Malltezin dhe detyrim paraqitje për Fatmir Bektashin.

Avokati mbrojtës i Malltezit, Klodian Skënderi deklaroi se qëndrimi i palës së akuzuar ka qenë mohues. Skënderi u shpreh se në rastin konkret nuk ka një vepër penale dhe se personat në hetim janë në një marrëdhënie të pastër.

“Në rastin konkret nuk ka vepër penale, sepse personat nën hetim janë në një marrëdhënie civile të pastër. Nuk mund të aludohet se me anë të ligjeve apo VKM që as janë atakuar në kohë, as kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale korrupsion.

Qëndrimi jonë në raport me akuzat e atribuuara është një qëndrim mohues, e them me bindje për aq sa mundëm të shihnim fashikujt e depozituar të Prokurorisë në Gjykatë. Të akuzosh dikë se është një trashëgimtar i ligjshëm i një familjeje tiranase si ajo Begeja, se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një familje tjetër tiranase është shumë e guximshme. Ky standard i Prokurorisë është shumë i ulët dhe me këto aludime po cenohen parimet juridike”, deklaroi avokati Skënderi. Malltezi doli dje para gjykatës nën akuzat për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Edhe ndaj biznesmenit Bektashi janë ngritur po të njëjtat akuza dhe ndaj tij u la në fuqi masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re