Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese vërtetoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka qenë e “paligjshme, jokushtetuese”.

“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara”, shkroi Kurti në një postim në rrjetet sociale.

Pas publikimit të aktgjykimit, të mërkurën, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpërndau kuvendin dhe shpalli datën e zgjedhjeve për 14 shkurt.

Në postimin e tij, Kurti nuk ka përmendur nëse do të garojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pjesëmarrja e tij në këto zgjedhje u aktualizua, pasi në vendimin e Kushtetueses, thuhet se Qeveria Hoti u zgjodh në mënyrë jokushtetuese, për faktin se për të votoi Etem Arifi, i cili ishte dënuar me vendim të formës së prerë për veprën “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një muaji.

Në aktgjykim të Kushtetueses thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kurti, në vitin 2018, së bashku me deputetët e atëhershëm të LVV-së, Albulena Haxhiun, Faton Topallin dhe Donika Kadaj-Bujupin u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i kishte vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Por, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, më 6 janar deklaroi se në zgjedhjet e reja, listës së kësaj partie do t’i prijë Kurti.

Më herët, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses ia ndalon Kurtit që të garojë për deputet, por kjo sipas tij, nuk ia ndalon që ai të nominohet për kryeministër, nëse partia e Kurtit fiton zgjedhjet./REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re