Vijnë nga vende ku sistemi i shëndetësisë është më i përparuar se ai shqiptar. Pavarësisht kësaj, në situatën e pandemisë, ambasadorët e Italisë, Suedisë, Gjermanisë dhe Holandës kanë qëndruar në Shqipëri.

“Doja të rrija sepse këtu kam punën time, doja të sigurohesha për punën e ambasadës. Ishte gjithashtu një vendim i qeverisë sime, por në fakt, askush nga ambasada nuk donte të ikte. Në Suedi, ne kemi një strategji më të lirë, njerëzit mund të shkojnë në punë, shkollat e çerdhet janë hapur. Natyrisht, është më këndshëm të lëvizësh, por çdo vend ka strategjinë e tij. Shqipëria ka ndjekur këtë strategji, e unë i përshtatem asaj”, thotë ambasadorja e Suedisë, Elsa Håstad.

“Në fakt, nuk ka qenë ndonjëherë një pikëpyetje nëse do largohesha, sepse në ministri janë të mendimit se kapiteni është i fundit që braktis anijen, prandaj ambasadorët në gjithë botën largohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.  Këtu në Shqipëri, nuk ka rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk ka arsye për tu larguar”, shprehet Ambasadorja e Vendeve të Ulëta, Guusje Korthals Altes.

Një vendim sa profesional, por aq edhe personal. “Para së të nisja do doja të falënderoja edhe një herë qeverinë shqiptare dhe të gjithë shqiptarët, për dërgimin e 90 mjekëve në Itali, ishte një gjest shumë i bukur dhe bujar. Miqtë njihen në momente nevoje dhe për Italinë kjo ndihmë nga Shqipëria ishte një gjest qe me të vërtetë nuk do ta harrojmë kurrë.

Në momentet e vështira ambasadori duhet të qëndrojë në ambasadë, të qëndrojë në vendin ku është akredituar, prandaj vendi im ishte këtu. Sapo nisi kriza, unë isha në Itali për arsye personale dhe u ktheva menjëherë në Shqipëri sepse kapiteni i anijes duhet të rrijë në anije, ndaj edhe për një ambasador është e njëjta gjë. Është e natyrshme të rri këtu”, shprehet ambasadori italian, Fabrizio Buçi.

“Unë këtu e kam vendin. Këtu duhet dhe dua të jem. Në kohë krize, ne duhet të forcojmë bashkëpunimin. Nuk e kam diskutuar ndonjëherë ikjen, edhe pjesa tjetër e stafit është gjithashtu këtu”, thotë ambasadori gjerman, Peter Zingraf.

Misioni diplomatik i ka mësuar të qëndrojnë shpesh larg familjes, edhe atëherë kur më shumë dëshiron ta kesh pranë. “Bashkëshorti im është këtu, fëmijët dhe nëna ime janë në Stokholm. Ata duhet të vinin, por tani duhet të presim. Uroj ti shoh në verë”, shprehet ambasadorja e Suedisë, Elsa Håstad.

E në raste të tjera, më shumë kohë për familjen e shtëpinë. “Po të gjithë po qëndrojnë këtu. Unë kam dy vajza, që janë të dyja në shkollë. U jemi vërtet mirënjohës sepse mësuesit kanë ngritur një sistem mësimi online shumë të mirë. Janë shumë të zëna, deri rreth orës 3. Bashkëshorti im, edhe ai po punon nga shtëpia, ai është shkrimtar dhe gazetar dhe për atë pak ndryshim kishte nga kjo situatë, veç faktit, se të tre gratë janë në shtëpi.  Po punojmë të gjithë bashkë. Ata janë mirë.  Jemi vërtet me shumë fat. Jetojmë afër parkut, kemi një kopsht dhe mund të dalim pak”, shprehet Ambasadorja e Vendeve të Ulëta, Guusje Korthals Altes.

“Edhe familja ime qëndron këtu. Bashkëshortja ime është këtu. Edhe ajo punon online sepse ne Itali të gjitha zyrat publike, por edhe sipërmarrje private kane reduktuar aktivitetin dhe shumë shfrytëzojnë platformat online për të punuar në distancë. Jemi të gjithë të angazhuar të punojmë në distancë”, thotë ambasadori i Italisë në Shqipëri. “Bashkëshortja ime është me mua, vajzat, prindërit dhe motrat janë në Gjermani.  Unë këtu jam në shtëpi. Edhe kur ishim ne Berlin, atje jetoja vetëm me bashkëshorten. Pjesa tjetër jetonte në qytet tjetër. Edhe aso kohe duhet të shkoja t’i vizitoja, prandaj virusi nuk e ka ndryshuar këtë”, tregon ambasadori Peter Zengraf.

Edhe selitë diplomatike në Shqipëri, i janë nënshtruar rregullave dhe rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore shqiptare. Ambasadorët tregojnë se kanë reduktuar ndjeshëm prezencën e stafit në ambasada dhe tashmë pjesën më të madhe të punës e bëjnë online. Kufizimi i daljeve nga shtëpia, detyroi edhe intervistat përmes Skype me A2.

“Mirë se vini në zyrën time në shtëpi! Këtu vij për të punuar çdo mëngjes. Përgjithësisht bashkëshorti im ulet përballë, por tani ai po bën këtë video të shkurtër t’u tregojë se ku punoj”, tregon ambasadorja e vendeve të Ulëta në Shqipëri.

“Ne jemi ndarë në tre grupe, që nëse ndodh infektimi, të mos infektohemi të gjithë në një kohë. Shumicën e kohës ne qëndrojmë në shtëpi. Kemi takime online 2 herë në ditë. Tani për shembull jam në rezidencë. Po punoj nga shtëpia”, thotë ambasadorja e Suedisë, Elsa Håstad.

“Ne kemi zbatuar që në fillim masat që na janë rekomanduar nga qeveria dhe autoritetet tona shëndetësore dhe kemi ndjekur edhe udhëzimet e qeverisë shqiptare.  Kemi blerë menjëherë maska, doreza, dezinfektues për të gjithë personelin e ambasadës. Dezinfektojmë të gjithë ambasadën rregullisht, kemi bërë ndarjen me turne të stafit. Kemi reduktuar personelin, disa punonjës shqiptarë punojnë nga shtëpia këtu, ndërsa italianët nga Italia. Vazhdojmë punën. Këto javë jemi përqendruar në mbështetjen për bashkëkombësit tanë, për sipërmarrjet italiane. Kemi punuar shumë mirë me autoritetet shqiptare, me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Përfitoj nga ky rast të falënderoj edhe një herë qeverinë shqiptare me të cilën po punojmë shumë mirë”, thotë ambasadori Italian, Fabrizio Buçi.

“Ne duam të kontribuojmë në betejën për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Mbajmë distancë sociale, mbrojmë njëri tjetrin. Zyra konsullore nuk pret më vizitorë. Nuk dalim jashtë për të takuar njerëz, veprojmë vetëm me video e telefon. Shumica e stafit punon nga shtëpia.  Bëjmë sa mundemi për të mbrojtur kolegët. Jam i lumtur të them që ndër kolegët gjermanë dhe ata shqiptarë nuk kanë pasur raste me koronavirus”, thotë ambasadori gjerman.

Mes mbledhjeve online dhe të shkruarit nga kompjuteri i shtëpisë, bëhet më e vështirë ndarja mes punës dhe pushimit me orar zyrtar. “Kur punon nga shtëpia, kufiri mes kohës së punës dhe shtëpisë është më pak i qartë. Ka shumë punë për ne, kur vjen fjala në ndihmën për riatdhesimin”, thotë ambasadorja e Holandës. “Kam zbuluar që pavarësisht koronavirusit, punë ka përherë. Në mëngjes vij në punë, por edhe pasdite punoj në shtëpi”, thotë diplomati italian.

Ndonjëherë është e mundur t’i kombinosh të dyja, punën dhe pasionin. Siç tregon ambasadorja suedeze në këtë video të xhiruar enkas për A2, e cila çdo të martë përgatit drekën për stafin e saj. “Përshëndetje të gjithëve! Është kohë izolimi. Duhet të ndihmojmë. Ja ku jam, në kuzhinën e rezidencës suedeze e rrethuar nga perime të shkëlqyera shqiptare, duke gatuar për kolegët e mi ambasadorë. Po bëj drekën dhe shpresoj shumë që ta pëlqejnë”, thotë ambasadorja suedeze.

Serialet televizive duken një joshje të cilës nuk i kanë shpëtuar as ambasadorët. “Por unë përpiqem të kem sa më shumë kohë për fëmijët, më pëlqen të gatuaj, është shumë këndshëm që gjendet kohë për gatimin. Besoj se nuk jam unë e vetmja që shoh tani recetat e ndryshme në internet. Veç kësaj lexoj shumë. Po ashtu në kopshtin tonë tentojmë të bëjmë mini konkurse vrapimi. Luajmë me fëmijët dhe sigurisht shohim seriale dhe filma në televizor”, thotë ambasadorja holandeze.

“Kur nuk punoj, lexoj, gatuaj. Më pëlqen shumë të gatuaj, në këtë aspekt jam italiani klasik që i pëlqen të gatuajë. Dhe më tej, si të gjithë, Netflix, po shoh filma dhe seriale në Netflix”, thotë ambasadori italian.

Por koha me bollëk po shfrytëzohet edhe për të mësuar gjuhën shqipe. “Po mësoj shqip. Tani nuk marr guximin të flas në shqip, por dua ta studioj sepse është një gjuhë shumë e bukur. Ka më shumë tinguj se italishtja, 36 shkronja. Kuptoj diçka, sepse ka kohë që e ndjek gjuhën shqipe. Shpresoj shumë që një ditë të bëj një intervistë në gjuhën shqipe”, rrëfen ambasadori italian. “Po ashtu lexoj, lexoj për Shqipërinë dhe po tentoj të përparoj me mësimin e gjuhës shqipe”, thotë ambasadorja suedeze.

Ambasadorët thonë se nuk kanë pasur frikë nga situata në Shqipëri dhe vlerësojnë masat e ndërmarra nga autoritetet vendase për të kontrolluar përhapjen e Covid 19. “Duhet të them se masat e vendosura këtu, edhe pse shumë strikte kanë pasur sukses. Nëse shohim numrat e të infektuarëve dhe të të prekurve, nuk janë dramatike. Në krahasim me vendet e tjera, virusi është mbajtur nën  kontroll në nivele jo dramatike. Në Itali,  fatkeqësisht, numri i viktimave i ka kaluar 27 mijë”, thotë ambasadori Italian.

“Është e vështirë për mua të vlerësoj.  Nuk kemi parë ende fundin e vitit. Shqipëria ka qenë e suksesshme për të mbajtur nën kontroll numrat, keni pak të infektuar. Sfida, jo vetëm për Shqipërinë, por gjithë Evropën është ringritja e ekonomisë. Nëse merren masa të forta, do të jetë më e vështirë, do jetë një udhëtim më i gjatë për të rimëkëmbur ekonominë. Kjo mendoj se është sfida. Strategjia e Suedisë, tenton të jetë strategji e qëndrueshme. Nuk janë mbyllur, as institucionet, as prodhimi, as fabrikat, as industritë, ndaj mendoj se do të jetë më e lehtë rimëkëmbja ekonomike për ne”, thotë ambasadorja suedeze.

“Mendoj se autoritetet shqiptare kanë qenë shumë strikt dhe të shpejtë. Patën masa strikte dhe kur shohim kurbën duket se ka rezultuar efektive.  Edhe ne, po qëndrojmë në shtëpi, ndaj është shumë e rëndësishme që edhe ne të ambasadës duke punuar nga shtëpia, po kontribuojmë për këtë.  Nuk po e bëjmë këtë vetëm për vete, ne qëndrojmë në shtëpi sepse ka shumë persona vulnerabël, dhe veçanërisht për ata që janë në linjë të parë, doktorët, infermierët, policët. Duhet të kontribuojmë edhe për luftën e tyre gjithashtu. Unë vlerësoj jashtë mase gjithë përpjekjet dhe sakrificat e tyre ne menaxhimin e kësaj krize”, thotë ambasadorja suedeze.

“Kam parë që numrat e të prekurve nga koronavirusit janë të ulët, prandaj rregullat për të penguar përhapjen kanë qene efektive. Diskutimet janë shumë të ngjashme në shtete dhe shoqëri të ndryshme. Edhe në Gjermani ne kemi hapur disa dyqane, njësoj si në Shqipëri dhe debati është i njëjtë, a duhej bërë, a u mor shpejt vendimi. Kemi nevojë për debat të hapur dhe publik për të marrë vendime”, thotë ambasadori gjerman. Por, lufta ende nuk ka mbaruar. Durim dhe zbatim të rregullave është ftesa që vjen për shqiptarët nga diplomatët e huaj.

“Duhet të përpiqemi të ndihmojmë dhe të marrim pjesë në luftën kundër përhapjes së virusit. Duhet të mbrojmë veten”, këshillon ambasadori gjerman. “Mesazhi që mund t’u jap është ai që u jap të gjithë bashkëpunëtorëve dhe italianëve. Jemi në këtë betejë, me një armik të padukshëm, është një armik shumë i vështirë. Nuk e kemi fituar ende këtë luftë. Apeli im është të kemi durim, duhet kohë, por në fund këtë luftë do e fitojmë bashkë”, thotë ambasadori italian./A2

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re