Vetëm një minutë larg… Pësimi i golit aq të vonë, e bën të dhimbshëm largimin e Holandës nga ky Europian.Mirëpo, me gjithë goditjen surprizë nga Uotkins, për skuadrën e Kuman ka vend për të listuar një sërë arsyesh për dështimin, veç finalizimit të parashikuar nga 28 vjeçari anglez.Holanda u shfaq me luhatje në Euro 2024. Paraqitje për t’u harruar në grupe. Një sinjal i mirë u dha me Rumaninë, teksa veç tre golave të shënuar krijoi të tjera raste. Përmbysja ndaj Turqisë u duk si një vazhdimësi e lojës së mirë dhe si rrjedhojë e një skuadre që po shtron terrenin për të prenotuar Berlinin. Mirëpo jo, gjithçka e mirë, u zbeh ndaj Anglisë. Dhe ajo perlë e hershme e Simons, ishte shumë pak.Kur vjen puna tek numrat, Holanda ka pësuar 1.5 gola për ndeshje. 9 gola të pësuar në 6 ndeshjet e një Europiani, janë relativisht shumë dhe ndikojnë për të mos arritur ndeshjen e shtatë dhe të shumëdëshiruar të një kompeticioni madhor.Gakpo shënoi tre gola.

Malen një dopietë ndaj Rumanisë, por nuk mjaftojnë. Me Depai në kërkim të vetvetes, Holanda e vuajti mungesën e një sulmuesi big, në formë, dhe që ti udhëhiqte. Pikërisht, në këtë pikë, halli bëhet i dyfishtë për Holandën, sepse krahas mungesës së sulmuesit, edhe forma e yjeve ka qenë e diskutueshme. Jo vetëm e Depait. Por edhe Gakpo, pikërisht ndaj Anglisë, atëherë kur duhet të ruante spaletat e liderit, u zhvesh nga çdo cilësi. Duke mos treguar asgjë.Dëmtimet në prag të Europianit lanë gjurmë, më shumë se kurrë u ndjenë ndaj Anglisë. Mungesat e De Jong apo të dyshes De Ron dhe Kopmejners lanë një gropë të madhe në mesfushën e portokallinjtë. Reparti që ndoshta e vuajti më së shumti edhe atë formë të Anglisë në pjesën e parë.Në fund, por ndoshta jo për nga rëndësia, sipas holandezëve por madje edhe vetë legjendave të futbollit Anglez, penalltia e akorduar me VAR ka krijuar debate. Dhe nëse e thonë legjenda si Nevill që ishte penallti skandaloze, atëherë, në Holandë ndoshta gjejnë shpagim për largimin nga ky Europian.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko